Lajme Shqip Sunday, 29 May 2011 18:00

Shkodër – Eshtrat e dy të pushkatuarve të burgut “Qafë Bari”, të gjetura mesditën e djeshme pranë stacionit të antenave të Radio Shkodrës, rreth një kilometër larg Urës së Lumit Kir, janë dërguar në Tiranë ku po ekzaminohen në Institutin e Mjeksisë Ligjore.

Sot në një komunikim me median, zëdhënësja e policisë së Shkodrës, Fatbardha Çelepia, bëri të ditur se dy skeletet të vendosura përkundrejt njëri-tjetrit, u gjetën në thellësinë 1. 1 metër, gjatë kërkimeve te familjarëve .

“Pasi u nxorrën skeletet, u konstatua një shishe e vogël qelqi, pa tapë e mbushur me si edhe një shishe tjetër, e cila kishte brenda një letër e shkruar me shkrim dore “Sokol Sokoli”.”, citon zëdhënësja Çelepia.

Më pas, ajo shtoi se “nga deklarimet e marra, shtetasit Simon Gjon Sokoli. 48 vjeç, lindur në fshatin Lekbibaj, rrethi Tropojë e banues në Tiranë dhe shtetasit Gjelosh Kol Ndoja 45 vjeç, banues në fshatin Juban, Komuna Guri i Zi, rrethi Shkodër, rezulton se skeletet e gjetura i përkasin respektivisht, Sokol Zef Sokoli i vitëlindjes 1952, lindur në fshatin Polo-Lekbibaj, rrethi Tropojë, i pushkatuar me vendim Gjyqësor, më datë 09. 06. 1984 ora 24. 00, “Për pjesmarrje në revoleten e te burgosurve politik, në burgin e Qafës Barit – Pukë”, dhe Tom Kol Ndoja, vitlindja 1952, lindur në Kllogjen, rrethi Shkodër, i pushkatuar me vendim gjyqësor, datë 09. 06. 1984 ora 24. 00 “Për pjesmarrje në revoletën e të burgosurve politik në burgin e Qafës Barit – Pukë”.

Në saktësimin e vendit ku ndodheshin skeletet e dy shtetasve ndihmoi “Shoqata e të Burgosurve Politik”. Zëdhnënësja theksoi se provat (eshtrat) u dërguan për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Tiranë. U kryen veprimet paraprake dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, në Shkodër për hetime të mëtejshme.