Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 18:44

Shkodër – Kleves Bitro, shefi i Kabinetit të Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, garantoi sot nga Shkodra, të gjithë shtresën e fëmijëve jetimë për një mbështetje të ngrohtë dhe të vazhdueshme nga strukturat shtetërore dhe më gjërë.

Bitro, i cili shoqërohej edhe nga këshilltarja e ministrit, Juela Meçani, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Social, etj, ishte sot i pranishëm në një ceremoni festive të organizuar në shtëpinë e fëmijëve parashkollore të qytetit të Shkodrës me rastin e 20 majit, ditës kombëtare të jetimëve.

Sipas tij, fëmijët jetimë do të kenë gjithmonë, mbështetjen, vemendjen, përkujdesjen e institucioneve, shoqërisë shqiptare.

Ai garantoi se “ne do të vazhdojmë të përkujdesemi për ata fëmijë, edhe kur të dalin nga këto institucione, edhe kur të dalin në jetë, edhe kur të fillojnë punë dhe të krijojnë familjet e tyre”.

Ndërsa, Eva Luli, drejtoreshë e shtëpisë së fëmijëve parashkollore, tha se “këtyre fëmijëve nuk u mungon tashmë një ushqim sipas parametrave mjekësore, as veshmbathja, as lojrat apo argëtimet e moshës, atyre nuk u mungon as vemendja, përkujdesja, profesionalizmi e dashuria nga ana e të gjithë personelit, por 20 maji është një ditë apeli për të gjithë. Kjo ditë na fton që këtyre fëmijëve, që ju mungon dashuria prindërore, t’ju ofrojmë edhe më shumë”.

Falë edhe gatishmërisë së artistëve dhe këngëtarëve të teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës për të interpretuar së bashku me fëmijët jetimë të kësaj qëndre sociale, festa e organizuar në kuadër të dites kombëtare të jetimëve, ka dhuruar shumë emocione për të pranishmit.