Shkodër – Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta festoi rezultatet që arriti kjo parti në zgjedhjet vendore të 8 majit, me anëtarët dhe simpatizantët e degës së saj, në Shkodër.
Pas paraqitjes së bilancit të rezultateve të LSI në Shkodër nga Nikolin Dedvukaj, kryetar i degës së LSI-së për këtë rreth, Ilir Meta shprehu kënaqësinë që në këto zgjedhje, LSI u paraqit një forcë politike në rritje e sipër, pasi arriti dyfishim të rezultatit, në krahasim me zgjedhjet vendore të 2007 dhe ato të 2009-tës.
Gjatë një prononcimi për mediet lokale, situatën politike në vend, Meta e konsideroi “tërësisht normale, tërësisht demokratike dhe e qëndrueshme”.
“Problemet e vetme që kanë ardhur janë tensionimet artificiale, që vijnë pikërisht nga politika e vjetër e shantazhit mbi votën e lirë, mbi institucionet, nga mosrespektimi i rregullave të lojës demokratike dhe natyrisht për çdo mosmarrëveshje, fjalën e fundit e ka gjykata dhe vendimit të saj duhet t’i binden të gjithë”, tha ai.
Në lidhje me vendimin e gjykatës të zgjedhjeve, Meta tha se “ai është i detyrueshëm për të gjithë, si për ata që mund t’i pëlqeje dhe atyre që nuk mundet të mos u pëlqejë”.
“Mendoj se çdo presion që bëhet ndaj legjislacioneve është i papranueshëm dhe absolutisht që tregon qartë se në vendin tonë ka ende politikanë, të cilët flasin për integrimin evropian, por kanë mentalitete, të cilat i takojnë një kohe, që e kemi lënë mbrapa me dekada”, vijoi Meta.
“Mazhoranca është mjaft e qëndrueshme dhe këto zgjedhje e treguan qartë përsa i takon votës politike. Kjo mazhorancë udhëheq me 140 mijë vota para, në raport me koalicionin tjetër”, tha Meta.
Friday, 27 May 2011 19:58