Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 21:05

Shkodër: Kolë Gurashi “Qytetar nderi”

Shkodër – Kolë Gurashi, krijuesi, interpretuesi, reformatori dhe etnografi i muzikes qytetare shkodrane, u nderua sot nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës me titullin “Qytetar Nderi”(pas vdekjes). Ceremonia e dorëzimit të këtij titulli u organizua në mjediset e biblotekes “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës në prezencën e një auditori të zgjedhur artistësh, drejtuesve të qeverisjes vendore, miqë e dashamirë të familjes “Gurashi” etj.

“Kole Gurashi mbetet një nga figurat e shquara të kangës shkodrane. Ai është një nga pionieret e ahengut shkodran, vlerat e tija janë të pazëvendësueshme, natyrisht edhe brezi pasardhës i tij kanë marrë shembullin nga Kole Gurashi për nga mënyra e trajtimit”, tha kompozitori Kolec Gajtani, vazhdues i traditës së Gurashit.

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Bardhyl Lohja, i ka dorëzuar djalit të Kolë Gurashit, piktorit të njohur Ndoc Gurashi, titullin “Qytetar Nderi”, akorduar në nderim të babait të tij.

Shumë i emocionuar për nderimin që iu bë babait të tij, piktori Ndoc Gurashi, në një prononcim për ATSH-në, duke falenderuar Këshillin Bashkiak, si dhe miqtë e familjes “Gurashi”, theksoi se krahas veprave të fushes së folklorit muzikor e këngës qytetare shkodrane, si dhe ato në fushat e tjera te artit, ai ka lënë një sërë botimesh si, “Hengu i vjeter shkodran 1953, “Ahengu Shkodran” 1957, botimi në vjetoren “Shkodra”, “Të dhëna biografike mbi disa këngëtare” etj.