Shkodër – Problematika disavjeçare që ka shoqëruar ndotjen e liqenit të Shkodrës nga papastërtitë që vinin nga derdhja në të e ujrave të zeza e të bardha të pikës turistike të Shirokës, është drejt zgjidhjes. Vemendja e vazhdueshme që qeveria shqiptare i kushtoi mjedisit, bëri që për ruajtjen e ujërave të liqenit të Shkodrës të miratohet një projekt madhor, i cili përfshin ndërtimin e një rrjeti kanalizues të ujërave të zeza për komunitetin e pikës turistike të Shirokës, duke bërë të mundur që më pas gjithçka të përpunohet në impiantin përkatës përpara se të derdhen në ujërat e liqenit. Kjo do të bëjë të mundur ruajtjen e florës dhe faunës, të cilat vitesh ndjeheshin të kërcënuara të zhdukeshin nga papastërtitë e shumta që mbizotëronin në të.
Projekti me vlere 2.3 milion euro, i bashkëfinancuar nga qeveria gjermane, ajo austriake, zvicerane dhe qeveria shqiptare, është në fazën e parë të punimeve. Redion Varfi, inxhinier kantieri në zbatimin e projektit të kanalizimeve të ujerave të bardha e të zeza në pikën turistike të Shirokës, thotë për ATSH-në se punimet janë përqendruar në këtë fazë të parë kryesisht në hapjen e kanaleve përgjatë aksit rrugor që lidh zonën ku është projektuar ndërtimi i impiantit me qëndrën e pikës turistike të Shirokës, gjatësia e të cilit është rreth 3 mijë metra. Sipas tij, në këtë kanal do të vendoset tubacioni kryesor dhe përmes tij, të gjitha shkarkimet e banesave të komunitetit si dhe të aktivitetit të biznesit do të përfundojnë në impiant ku edhe do të përpunohen brenda standarteve bashkëkohore përpara se të derdhen më pas në bregun e liqenit të Shkodrës.
Varfi shton se për momentin ecuria e punimeve nuk është në nivelin e kërkuar, kjo edhe për arsye të fortësisë së madhe që po paraqet aksi rrugor me përbërje të shumta shkëmbore. Por, gjithsesi, e parë në kompleks, ai garanton se investimi në fjalë do të arrijë të përfundojë brenda afatit të duhur ne fundin e vitit të ardhshëm dhe se me përfundimin e tij, zgjidhet përfundimisht problemi i ndotjes së ambjentit.
Thursday, 29 December 2011 08:30