Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 21:00

Shkodër – 165 ndërtime pa leje në plazhin e Velipojës do të prishen nga Inspektoriati Kombëtar Ndërtimor për t’i dhënë mundësi zbatimit të masterplanit në territorin e plazhit. Prishja e tyre ka filluar sot në bazë të një liste të hartuar nga Këshilli i Komunës së Velipojës, ndërkohë që përfundimi i aksionit pritet të mbyllet deri në javën e fundit të muajit dhjetor.

Sipas kryekomunarit të Velipojës, Pashko Ujka, administrata e drejtuar prej tij po bën të mundur zbatimin e masterplanit të hartuar  për këtë qellim. Përqëndrimi kryesor fillimisht është fokusuar në pjesen e brezit ranor, ku të gjitha ndërtimet në atë zonë do të rrafshohen për t’i dhënë mundësi ndërtimit të një rruge pedonale ne sherbim te pushuesve.

Ujka tha për ATSH-ne se “prishja e 165 ndërtimeve pa leje ka të bëjë edhe me ndërtimin e akseve rrugore komunikuese brenda territorit të plazhit, ku projekti i masterplanit parashikon hapjen e rrugëve të reja dhe në disa raste edhe zgjerimin e atyre ekzistuese, që lidhen me aksin rrugor kryesor të komunës me destinacion pjesen e territorit të plazhit”.

Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Arben Ndoka, i cili po ndjek nga afër zbatimin e operacionit të prishjes së ndërtimeve pa leje në plazhin e Velipojës, u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin me strukturat vendore të komunës së Velipojës si dhe forcat e policisë së rendit të komisariatit të Shkodrës që janë në mbështetje të këtij aksioni.