Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 10:00

Tiranë-Statistikat janë baza e të gjitha analizave ekonomike, por për institucionet shqiptare ato ngelen një punë e dorës së fundit.

Treguesi më i rëndësishëm për ekonominë e një vendi, prodhimi kombëtar, është një rast flagrant i neglizhencës në nxjerrjen dhe publikimin e statistikave.

Sipas kalendarit të vet, Instituti i Statistikave duhet ta kishte publikuar informacionin për rritjen ekonomike në tremujorin e dytë që në fund të muajit Shtator.

Jemi në mesin e Dhjetorit dhe ky informacion ende nuk ekziston. Instat e justifikon vonesën pothuajse tremujore me mosdhënien e informacionit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Kur kryeministri Berisha dhe ministri Pollo flasin pa fund për qeverisjen elektronike dhe për rritjen e transparencës në qeverisje, statistikat më të rëndësishme për ekonominë e vendit janë katandisur në një lojë ping-pongu mes institucioneve të ndryshme.

Ndonëse furnizimi i të dhënave për Instat është një detyrim, mosdhënia e tyre nuk e shqetëson shumë as Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe as eprorët e qeverisë së e-government. Prodhimi i Brendshëm Bruto, për fat të keq, nuk është i vetmi kur Instat vonon publikimin e statistikave.

Indeksi i Tregtisë me pakicë dhe Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për tremujorin e tretë të këtij viti duhet të ishin publikuar që në fund të muajit Nëntor. Po të hapni adresën në internet të Instat, do të shihni se informacioni për këta tregues ka ngelur në tremujorin e dytë.

Nëse për Prodhimin e Brendshëm Bruto topi është hedhur në fushën e Tatimeve, kujt do t’i ngelet faji për vonesën e publikimeve të tjera? (LajmeShqip.com)