Tetovë – Në shkollën fillore Rexhep Voka në fshatin Shipkovicë, Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) mbajti tubim parazgjedhor me banorët e këtij fshati. Kandidatët e mundshëm për deputet: Bardhyl Mahmuti, Myqereme Rusi , Daut Rexhepi, Lirije Xhaferi, Memet Zejnullahu dhe kandidati i kësaj Milazim Rushani, shpalosën pika të platformës për antidiskriminim.
Kryetari i BDSH-së Bardhyl Mahmuti, duke përshëndetur përzemërsisht banorët e Malësisë së Sharrit theksoi se 30 vite më parë, në vitin 1981 gazeta komuniste ‘Nova Makedonija’ në kryeartikullin e vet kërkonte që Shipkovicës “si vatër e nacionalizmit shqiptar, t’i bëhen muret e burgut”.
“Në vitin 2001, pra 20 vite më vonë, Shipkovica e strehoi shtabin e përgjithshëm të UÇK-së. Shpresat ishin aq të mëdha se pas kësaj lufte do t’u vije fundi vuajtjeve të popullit shqiptar. Askujt nuk ia ka marrë mendja se në vitin 2011, pra 30 vite nga kërcënimi i komunistëve të Nova Makedonisë, shteti i ri i Maqedonisë do të shndërrohet në burg për të gjithë shqiptarët autokton”, ka thënë kreu i BDSH-së. Ai tha se, kemi ardhur në atë gjendje të vështirë ku sikur të burgosurve nëpër kazamatet e këtij shteti, pushteti i Shkupit u cakton se sa duhet të hanë, se çfarë uji duhet të pinë dhe çfarë ajri duhet të thithin.
“Ekzoti masiv i shqiptarëve pas heqjes së vizave mori përmasat e një ikjeje nga ky burg. Që t’i jepet fund terrorit shtetëror, diskriminimit të të gjitha formave, populli shqiptar e ka në dorën e vet dhe më 5 qershor, duke votuar Bashkimin Demokratik Shqiptar dhe numrin 4, do të hapin perspektivën e re për realizimin e aspiratave tona”, ka shtuar ai. Mahmuti, madje kërkoi votën e qytetarëve shqiptarë, më 5 qershor.
“Të jeni të bindur se nëse ka mbetur fije atdhetarizmi te Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi dhe nëse dëshirojnë të dalin nga logjika klanore, ata do t’u drejtohen qytetarëve që të votojnë Bashkimin Demokratik Shqiptar në zgjedhjet e 5 qershorit. Ata e dinë fare mirë, se i njeh dhe e njohin personalisht Bardhyl Mahmutin, ia njohin aftësitë e tija profesionale dhe përkushtimin atdhetar, se nëse merë mandatin ai dhe ekipi që përfaqëson BDSH-në, do t’i realizojë të drejtat e popullit shqiptar më mirë se kushdo tjetër. Në pamundësi që t’i takoj personalisht, ua kam përcjell kërkesën për të votuar për BDSH-në përmes simpatizuesve dhe anëtarëve të familjeve të tyre”, ka thënë kreu i BDSH-së, Bardhyl Mamuti
Sunday, 29 May 2011 20:50