Tetovë – Bashkimi Demokratik për Integrim, fushatën e saj parazgjedhore e ka prezantuar përpara banorëve të Malësisë së Sharrit në Shipkovicë, fshat që u bë i njohur nga mbarë bota në vitin 2001, ku ishte vendosur komandanti i përgjithshëm i UÇK-së dhe tani lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Duke folur para banorëve të Malësisë së Sharrit, lideri i BDI-së u shpreh se shqiptaria bëhet me punë dhe jo me llafe. Ahmeti foli edhe për të arriturat e tjera të cilat i ka bërë BDI-ja, por që janë vepra të pavdekshme për shqiptarët.
“Dëgjojmë disa kohëve të fundit, që trumbetojnë se nuk është bërë asgjë. Si mund të thuash se nuk është bërë asgjë, kur kemi ndryshuar rrënjësisht statusin e shqiptarëve. Të dashur vëllezërit e mi dhe motrat e nënat e mia, shqiptaria bëhet me punë, duke hapur vende të reja pune, duke ngritur dinjitetin kombëtar, duke krijuar mundësi për rininë që të studiojnë në vendet ku shqiptarët nuk kanë mundur më herët as t’i shohin, në kazermat e ish-Jugosllavisë, pasi edhe ato ne i kemi kthyer në fakultete. Shqiptaria bëhet duke kthyer dinjitetin e Shkupit. Ju e dini se asnjë fjalë shqip nuk mund të flitej në Shkup, tani çdo ligj çdo amendament është në gjuhën shqipe. I gjithë Qyteti i Shkupit është në shqip. Shqiptaria nuk bëhet duke sharrë e duke tentuar për t’u kacafyt si gjelat, por me këto punë. Si mund të thuash se nuk është bërë asgjë ku kemi themeluar Muzeun e Manastirit, Muzeun e shkronjave shqipe, kontribut edhe i birit tuaj Rexhep Vokës. Si mund të thuash se nuk është bërë asgjë ku në mes të Shkupit ke Skenderbeun, Muzeun e Lirisë”, ka thënë Ali Ahmeti para banorëve të Malësisë së Sharrit. Ai ka shtuar se BDI-ja çdo ditë e më shumë rritet, pasi asaj i bashkohet rinia shqiptare. “Në këtë fushatë shohim një gjeneratë të re e cila çdo ditë e më shumë i bashkëngjitet BDI-së. Kjo është një fitore e madhe. BDI-ja është partia e rinisë. Si mos i bashkohesh të ardhmes. E ardhmja bëhet me njerëz që kanë qëllim, që kanë mision, që kanë ideal.BDI-ja ka në radhët e veta njerëz me dinjitet që kanë për qëllim çështjen kombëtare, integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, pasi ne jemi opsioni me vizion dhe serioz në arritjen e qëllimeve të përbashkëta”, ka theksuar kreu i partisë. Lideri i BDI-së ka ftuar banorët e Malësisë së Sharrit që të votojnë masovikishtë në zgjedhjet e 5 qershorit për ti dhënë përkrahje bashkimit të forcave atdhetare që të vazhdojnë me projektet për të mirën e gjithë shqiptarëve në Maqedoni. Hazbi Lika, sekretari organizativ i BDI-së tha se BDI-ja vazhdon të jetë partia shqiptare që çdo ditë bën një të mirë për shqiptarët. Njerzit që udhëheqin BDI-në për asnjë rast nuk harrojnë çështjen kombëtare dhe hallet e shqiptarëve dhe unë jam përkrah Ali Ahmetit për shkak se është ai që po i çon proceset përpara.
Ndërkohë, Teuta Arifi, foli për rëndësinë e votës së shqiptarëve për dyfishimin e suksesit të BDI-së. “Ne shqiptarët duhet të punojmë që të arijmë mandatin e qeverisë, pasi jemi në vendin tonë, në tokën tonë, në hisen tonë”, ka thënë mes tjerash Arifi.
Sunday, 22 May 2011 14:05