Tiranë – Shfaqjet fituese të Festivalit Teatror të të Rinjve do të rikthehen për publikun, kësaj here në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar.
Mbrëmjen e sotme, do të shfaqet për publikun drama “Vdekja dhe Virgjerësha” e regjisorit Kliton Hoxha me aktorë Enkela Braho, Neritan Liçaj dhe Saimir Braho.
Vepra e Ariel Dorfman i zhvillon ngjarjet në një shtëpi bregdetare jashtë qytetit, në një vend të Amerikës Latine. Autori e lë të papërcaktuar atë, për të simbolizuar të gjitha demokracitë e brishta postdiktatoriale, pikërisht në natën kur Gerardo, një jurist, është emëruar në stafin e komisionit hetimor të krimeve dhe përndjekjeve të së kaluarës së afërt. Gruaja e tij Paulina, një ish e përndjekur është një nga viktimat e torturuara, pjesë e krimeve të cilat pretendohet të dalin në dritë me angazhimin e këtij komisioni.
Drama do të jepet në datat 27, 28 dhe 29 janar, ora 19:00, ndërsa më vonë do të jepen edhe shfaqjet e tjera fituese “Koleksioni i Qelqtë” me regji të Lorin Terezit dhe “Pa rrugëdalje” e regjisorit Elis Mataj.
Friday, 27 January 2012 14:15