Tiranë-Njësia task forcë në Prokurorinë e Tiranës ka nisur hetimet për ndryshimin e destinacionit të punimeve në sheshin “Skënderbej” ne kryeqytet, pas kallëzimit të bërë me herët nga grupi i këshiltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës me kërkesë për mbledhje dokumentacioni mes të cilave, prokurorët kërkojne të dinë se mbi çfarë vendimi janë kryer punimet e reja dhe përse është ndryshuar destinacioni i punimeve në një kohë kur kishte një projekt të miratuar që po zbatohej.
“Ne synojmë – thanë pjesëtarët e grupit hetimor – të verifikojmë nëse ka dëm financiar nga ky ndryshim i destinacionit të punimeve në sheshin “Skenderbej”, ndërkohe që grupi i hetimit ka kërkuar dokumente shtesë edhe nga kallëzuesit”.
Në padi, grupi i keshilltarëve socialistë thotë se bashkia e Tiranës nisi zbatimin e projektit për rindërtimin e sheshit “Skënderbej” në mars 2010, sipas një projekti të miratuar në bazë të ligjeve në fuqi.
“Në 25 janar 2008 – thonë keshilltaret – u nënshkrua me Këshillin e Ministrave marrëveshja e kontributit me vlerën e 5 milion eurove nga qeveria kuvajtjane për financimin e projektit “Rinovimi i sheshit ‘Skënderbej’ dhe restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë”, ku si agjensi zbatuese e këtij projekti është caktuar Bashkia Tiranë.
Në aktpadi më tej theksohet: Duke filluar nga faza e projektimit dhe në vijim e zbatimit të fazës së parë të projektit, janë investuar rreth 5 milion euro.
Aktualisht nuk ka asnjë vendimmarje ligjore për të ndryshuar projektin dhe lejen e ndërtimit per keto punime.
Kostoja e deritanishme e punimeve eshte e panjohur, e cila gjithsesi duke pasur parasysh volumin e madh të tyre duhet të llogaritet mbi 1 milion euro. Vlen të theksohet se këto punime në qëndër të një kryeqyteti europian, po kryhen pa pasur një projekt të miratuar sipas ligjit.
Gjithashtu, këto punime janë duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik publik, pasi praktikisht janë duke e shëndruar në “zero” vlerën prej rreth 5 milion eurosh të investuar deri tani sipas projektit dhe marrëveshjes me fuqinë e ligjit, si dhe kanë vënë në pikëpyetje vijimin e financimit të këtij projekti ne përputhje me procedurat ligjore.
Sheshi “Skenderbej” kishte mbi dy vjet qe ishte shnderruar ne kantier dhe ishte mbyllur per kalimin e automjeteve. Bashkia e drejtuar nga Lulzim Basha hoqi dore nga projekti i meparshem, duke zbatuar nje projekt provizor, sipas saj, per te mundesuar sistemimin e qendres se kryeqytetit. (TCH)
Friday, 06 January 2012 08:00