Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 12:51

Prishtinë-“Institucionet e vendit kanë dështuar përkundër premtimeve të dhëna sa i përket përmirësimit të kushteve në shëndetësi” thonë ekspert të shëndetësisë së LDK.

Shëndetësia në Kosovë ka probleme të shumta, të cilat nuk po gjejnë zgjidhje, tha  kryetari i grupit të eksperteve të shëndetësisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Avdyl Krasniqi. Ai adresoi kritika ndaj drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Përkundër premtimeve se do ta rrisin buxhetin për vitin 2011 në esencë ka mbetur buxheti i njëjtë mandej MSH-së aktuale nuk ka arritur të fusë ligjet të cilat ka premtuar se do të miratohen, si ligji për sigurime shëndetësore dhe ligji për shëndetësi. Problemet janë kryesisht në menaxhimin e keq të dhe mosrespektimin e ligjshmërisë në institucione shëndetësore.

Ndërsa, sipas ministrit të  shëndetësisë Ferid Agani, që nga ardhja e tij në krye të këtij institucioni, të arriturat janë të dukshme.

Në radhë të parë kemi arritur që të përpilojmë një pako reformuese legjislative të përbërë nga projektligji i shëndetësisë i sigurimeve shëndetësore dhe projektligji për produkte medicinale dhe pajisje mjekësore.

Po ashtu, ministri Agani thotë se është punuar edhe në menaxhimin e mirëfilltë të sistemit në shëndetësi.

Shëndetësia në Kosovë, do një përkushtim serioz e jo vetëm fjalë, tha kryetari i eksperteve të shëndetësisë se Lidhjes Demokratike Avdyl Krasniqi. (LajmeShqip.com)