Tiranë – Viti 2011 është karakterizuar nga ngjarje të rëndësishme në shëndetësi, si në rrafshin e investimeve, legjislacion, por edhe të vendosjes së marrëdhënieve me vende të tjera. Ndërkohë ngjarjet në fushën epidemiologjike treguan se sistemi shëndetësor është i aftë dhe mund t’i përballojë ngjarjet e tilla. Një nga ngjarjet më të rëndësishme është dhe përurimi i telemedicinës por, dhe hapja e Spitalit të ri të Urgjencave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ç’ka pritet të sjellë një lehtësim të lëvizjes së pacientëve në spital.
Më poshtë disa nga ngjarjet kryesore të vitit në shëndetësi.
6 Janar- Ligji i ri për sigurimet e kujdesit shëndetësor miratohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se ligji është element kyç i reformës së shëndetësi.
17 Janar – Vendoset një aparaturë mamografe bashkëkohore për diagnostikimin e kancerit të gjirit në Shërbimin e Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Mamografia u mundësia falë projektit të Bankës Botërore.
8 Shkurt- Maternitetet në 16 rrethe të vendit pajisen me një set aparaturash mjekësore bashkëkohore, si ndërhyrje që ulin mortalitetin foshnjor dhe amtar, si dhe ndikojnë në përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës. Ky set pajisjesh bashkëkohore u mundësua nga UNFPA.
10 Shkurt – Vendoset autoklava e re të trajtimit të mbetjeve spitalore në Qendrën Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, jo vetëm një mënyrë bashkëkohore, por ndikon edhe në uljen e infeksioneve spitalore dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor.
28 Shkurt.- Përurohet zinxhirit ftohës i ruajtjes dhe transportimit të vaksinave në Institutin e Shëndetit Publik.
1 Mars – Për të gjithë fëmijët e lindur që nga 1 janari i këtij viti nisi vaksinimi ndaj pneumokokut. Kjo vaksinë, e cila aplikohet në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe, ofrohet falas për të gjithë këta fëmijë në të gjithë vendin.
7 Mars – Ministria e Shëndetësisë lancon nisjen e aksionit shumëdimensional në luftën kundër përdorimit të alkoolit, sidomos tek moshat nën 18 vjeç, çka përbën dhe një nga fenomenet më negative të shëndetit publik.
8 Mars-Vendoset aparatura e lipotriptisë në QSUT. Kjo aparaturë e re, bashkëkohore, bën të mundur thërrmimin e gurëve në veshka, pa patur nevojën e ndërhyrjeve kirurgjikale.
8 Prill- USAID lançon projektin 5 vjeçar në mbështetje të shëndetësisë shqiptare në reformimin e saj.
28 Prill-Përurohen sallat e rikonstruktura në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.
29 Prill- Në Spitalin Universitar të Mushkërive “Shefqet Ndroqi” u përuruan ambjentet e rikonstruktura si dhe pajisja e tij me aparaturat më bashkëkohore.
5 Maj-Ministria e Shëndetësisë njoftoi proçesi i akreditimit të institucioneve shëndetësore në vend është i hapur, ndërsa shumë shpejt do të nisë dhe verifikimi i standardeve.
1 Qershor- Qeveria miraton Listën e Barnave të Rimbursueshme 2011, e cila përmban 11 alternativa të reja, formë-doza barnash që trajtojnë sëmundje kronike si, aneminë tek të sëmurët me veshka, për diabetikët, të sëmurët e pneumologjise, kardiologjise, okulistikes etj.
15 Korrik- Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) garanton mbështetjen për shëndetësinë shqiptare në fushat ku ka nevojë, nëpërmjet drejtorit të saj, Yuiua Amano, gjatë vizitës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
20 Korrik – Mjekët e Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” realizuan me sukses një operacion të rrallë, pikërisht atë të heqjes së një mase tumorale prej 15 kg në këmbën e një pacienti.
21 Korrik – Kuvendi miratoi ligjin për tranplantet e indeve, qelizave dhe organeve.
18 Gusht- Miratohet rregullorja “Për mbrojtjen e punëmarrësve të ekspozuar profesionalisht ndaj rrezatimeve jonizuese”.
25 Gusht-Realizohet transplanti i dytë i veshkës në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.
27 Shtator – Përurohet telemedicine në QSUT, Telemedicina është një metodë e re mjekësore, që mundëson diagnozën më të saktë e më të shpejtë për pacientët. Ky projekt, i financuar nga USAID dhe Korpusi i Paqes, është i inicuar nga profesori në Universitetin e Arizonës, shqiptaro-amerikani Rifat Latifi. Kryeministri Sali Berisha e cilesoi këtë “ngjarje e madhe për shëndetësinë shqiptare”.
1 Tetor-Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur tashmë udhëzuesit e praktikës klinike, ndërsa është në përfundim të protokolleve klinike të kujdesit për moshën e tretë. Në Ditën Botërore të të Moshuarve, drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, shprehur angazhimin e MSH për kujdesin ndaj moshës së tretë.
4 Tetor- Shqipëria dhe rajoni i Friuli Venezia Giulia në Itali do të rrisin bashkëpunimin dypalësh në shëndetësi, duke e shtrirë atë në aspekte të ndryshme. Një delegacion i nivelit të lartë të këtij rajoni vizitoi Shqipërinë.
14 Tetor-Miratohet ligji për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese, çështje që ka dalë në plan të parë me zhvillimet teknologjike, sidomos me zhvillimin e telefonisë celulare dhe transmetimet radiotelevizive.
18 Tetor- Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kanë kryer për herë të parë një operacion tek një fëmijë vetëm 6 ditësh.
31 Tetor- U çel Panairi Ndërkombëtar i Shëndetësisë, i pari i këtij lloji në vend, organizuar nga Qendra Kombëtare e Panaireve, në bashkëpunim me Leoron Group Dubai. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, e vlerësoi si një nga momentet më kulmore të prezantimit të shëndetësisë.
3 Nëntor – Fondi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) dorëzon pajisje mjekësore për maternitetet e vendit.
10 Nëntor- Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka bërë të mundur për herë të parë në shëndetësi llogaritjen e kostove të shërbimeve spitalore.
16 Nëntor – Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me UNFPA, ka prezantuar sot Protokollet e Mjekimit për 5 sëmundjet kryesore kronike për moshën e tretë.
17 Nëntor- Përurohet Spitalit të ri të Urgjencave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, nga ku kryeministri Sali Berisha garantoi modernizim të spitaleve të Tiranës dhe rajoneve të tjera.
1 Dhjetor – Në ditën Ndërkombëtare të HIV AIDS qeveria shqiptare dhe Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për rritjen e testimeve vullnetare. Sipas ISHP, 65 raste të reja HIV pozitiv janë identifikuar gjatë këtij viti, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 478.
13 Dhjetor- Për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, u mundësua sot hapja e Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Kontrollit Antidoping, investim ky i Qeverisë shqiptare dhe Agjencisë turke për Zhvillim TIKA.
14 Dhjetor-Mbahet Konferenca përmbyllëse e projektit 3 vjeçar, “Të mbrojmë shëndetin nga ndryshimet e klimës në Shqipëri”, i zbatuar në shkëpunim me Qeverinë gjermane dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë u prezantua dhe dokumenti strategjik për përshtatjen e sistemit shëndetësor ndaj ndryshimeve të klimës 2011-2021.
19 Dhjetor – Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Urdhri i Mjekut angazhohen për kontrollin rigoroz të zbatimit të etikës mjekësore. Për këtë është nënshkruar dhe marrëveshja përkatëse midis dy institucioneve, nga drejtoresha e ISKSH, Elvana Hana, dhe Presidenti i UMSH, Din Abazaj.
23 Dhjetor-Mbahet Konferenca e parë e Anatomisë Patologjike. Patologjia tumorale në rritje ka bërë të nevojshëm diskutimin më të gjerë të masave parandaluese dhe diagnostikuese, reflektim më të thelle mbi politikat dhe strategjitë, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
23 Dhjetor – Mjekët kardiologë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë kanë realizuar një tjetër ndërhyrje të rralla në zemër, tek një grua 49 vjeçare nga Durrësi.
Saturday, 31 December 2011 11:00