Lajme Shqip Friday, 15 March 2013 15:47

Priashtinë – Është shembur një pjesë e urës së Rakovinës në magjistralen Gjakovë – Klinë – Prishtinë dhe si pasojë e kësaj qarkullimi në këtë aks mjaft të frekuentuar është bllokuar në tërësi.

Shembja e urës, konkretisht njërës prej shtyllave të saj mbajtëse, sipas dëshmitarëve ka ndodhur në natën mes të enjten dhe të premtes si pasojë e ujërave të rrëmbyeshëm të lumit “Drini”, i cili është fryrë pas reshjeve të pandërprera të shiut.

“Rreth orës 00:30 kur kemi dalë nga lokali këtu afër e kemi parë që mesi i urës ka qenë i shembur dhe bazamenti i saj gati ishte kapluar nga uji që vinte me të madhe. E kemi lajmëruar policinë dhe ata e kanë bërë bllokimin e sigurimin e rrugës”, ka thënë Muharrem Krasniqi, banor i fshatit Rakovinë.

Ndërkohë, në mëngjesin e së premtes në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zyrtarë komunal të emergjencave dhe zyrtarët regjional të Ministrisë së Infrastrukturës, institucion nën mbikëqyrjen e së cilëve është magjistralja së bashku me urën.

Këta të fundit kanë thënë se për dëmtimin e urës i kanë njoftuar edhe instancat qendrore, konkretisht zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe po presin ardhjen e tyre për verifikimin dhe procedimin e mëtejmë të situatës.

Ndërkohë, sipas disa ekspertëve të ndërtimtarisë, gjasat për sanimin e dëmit janë gati minimale, për të mos thënë të pamundshme, prandaj zgjidhje e vetme në këtë rast mbetet ndërtimi i urës së re.

Ndryshe, Ura e Rakovinës e cila ishte bombarduar nga NATO, është ndërtuar e re disa vjet pas përfundimit të luftës, konkretisht rreth viteve 2001 – 2002.(Z.I/LajmeShqip.com)