Lajme Shqip Thursday, 20 June 2013 14:09

Prishtinë – Imamit të xhamisë së Madhe në Prishtinë, i ka pëlqyer deklarata e kreut të Vetëvendosjes, se është pro lejimit të shamive në shkolla. Krasniqi nuk ka nguruar të shfaqë menjëherë mbështetjen ndaj kësaj deklarate.

“Është hera e parë kur një lider me ndikim politik del dhe shaminë e sheh si të drejtë, sigurisht, edhe për shkak të asaj që tashmë kanë parë në botën perëndimore se të qenit laik nuk do të thotë t’ia mohosh të drejtat një komuniteti. Unë tash e një kohë të gjatë kërkoj nga organet tona qeveritare që të drejtat fetare që kërkojmë të mos jenë hiç më shumë se ato që i gëzojnë pakicat myslimane në Angli dhe Amerikë”, ka thënë Krasniqi, nëpërmes një deklarate për media.

Krasniqi ka përgëzuar Kurtin për guximin që të shprehë përkatësinë e tij fetare.

 “Ne lutemi që ai një ditë të na vjen në xhami. Le të merr shembull liderët botëror, të cilët nuk kanë turp të manifestojnë besimin e tyre fetar. Por, ajo që si vërejtje i jepet deklaratës së Albinit është përcaktimi i moshës. Shamia është obligim jo nga mosha 16 vjeçare por nga momenti kur një vajzë hyn në pubertet, pra nga momenti kur shfaqen shenjat e para të pjekurisë seksuale. Është çështje kjo që nuk do kompromis, për shkak të përcaktimit të saj drejtpërdrejtë nga Krijuesi Fuqiplotë. Le të shpresojmë se me Albinin po hapet një kapitull i ri në politikën kosovare. Le ta ndjekin këtë shembull edhe partitë tjera. Le tua plotësojnë kërkesat popullit, pavarësisht përkatësisë fetare”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se reagimi i tij nuk është si mbështetje për Vetëvendosjen, por ka thënë se “i përkrahë ata që ia duan të mirën vendit”.