Lajme Shqip Wednesday, 05 August 2015 08:14

Udhëheqësja e sektorit të Inspektoratit arsimor për Prishtinën, në Ministrinë e Arsimit, Ryve Bytyqi, ka ndërruar datëlindjen e saj vetëm një muaj para se të dalë në pension, duke u bërë dy vjet më e re. Këtë gjë e ka bërë përmes Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, ku ka bërë kërkesë për ndryshimin e datëlindjes.

Bytyqi, sipas dokumenteve zyrtare të saj, me të cilat është shërbyer që nga lindja e deri tani në kohën e pensionimit, është dashur të pensionohej më datën 15 korrik të këtij viti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ministria madje e ka nxjerrë edhe vendimin për pensionimin e saj. Sipas këtij vendimi, i cili mban datën 18 maj dhe është nënshkruar nga ish-sekretari i Ministrisë, Xhavit Dakaj, shefja e SIA-s, Ryve Bytyqi, duhet të dilte në pension që nga data 15 korrik e këtij viti.