Anëtarë të Kongresit, zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe analistë i cilësuan të një rëndësie kritike zgjedhjet e 23 qershorit për të ardhmen e Shqipërisë. Komisioni amerikan i Helsinkit mbajti një seancë për Shqipërinë ku një nga temat më të debatuara ishte ajo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker vlerësoi përparimin e deritanishëm të vendit dhe shprehu mbështetjen për integrimin evropian të tij, por shtoi se Shtetet e Bashkuara ndajnë mendimin e Komisionit Evropian se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një provë kritike për gadishmërinë e Shqipërisë për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian, njofton “Zëri i Amerikës” .
“Ecuria e këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe do të dërgojë një sinjal të qartë nëse Shqipëria është gati për statusin e kandidatit të BE-së. Po ashtu do të ketë ndikim në marrëdhëniet tona dypalëshe me Shqipërinë”, tha ai. Kreu i Komisionit të Helsinkit, senatori Benjamin Cardin vlerësoi përparimin e shpejtë të Shqipërisë, në vitet pas rënies së komunizmit, por shtoi se në vitet e fundit ky ritëm ka ndryshuar dhe në disa raste disa shanse për përparim kanë humbur.
“Populli shqiptar meriton zgjedhje të lira dhe të ndershme, meriton premtimin e demokracisë në kuptimin e plotë”.
Kongresmeni Eliot Engel ra dakord me Reeker se zgjedhjet kanë rëndësi për mënyrën sesi do të mbahen.
Drejtori i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj i konsideroi zgjedhjet një sfidë por edhe mundësi për të konsoliduar përparimin e viteve të fundit.
Por ai e quajti politikën shqiptare bllokuese edhe jofunksionale.
“Niveli i lartë aktual i politizimit dhe i fragmentimit, është rezultat direkt i faktit që dy partitë kryesore refuzojnë të angazhohen në kompromise që janë normale në një rend demokratik”.
Reeker: KQZ mos të jetë politike
Zëvendës Ndihmës Sekretari Reeker tha se KQZ-ja nuk duhet të bëhet objekt ndërhyrjeje i asnjë individi, partie politike, apo institucioni, përfshirë Parlamentin.
“Anëtarët e KQZ-së që janë përzgjedhur dhe caktuar mbi bazën e një konsensusi ndërpartiak dhe në përputhje me Kodin Elektoral, duhet të jenë apolitikë. Me të marrë detyrën, anëtarët e KQZ-së janë të angazhuar dhe të detyruar që t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të paanshme për të realizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe zgjedhje demokratike në Shqipëri”.
Reeker i inkurajoi udhëheqësit e partive politike që të arrijnë një kompromis dhe shprehu besimin se ata mund ta realizojnë një gjë të tillë.
Duke shpjeguar dinamikën e ndryshimit të përbërjes së KQZ-së pasi Lëvizjes Socialiste për Integrim u largua nga koalicioni qeveritar, Besa Shahini, analiste e Iniciativës Evropiane për Stabilitet tha se situata e krijuar paraqet dy sfida për organizimin e zgjedhjeve.
“Së pari parimet demokratike dhe legjitimiteti i organizimit të zgjedhjeve janë dëmtuar dhe së dyti kemi një komision vetëm me katër anëtarë që nuk mund t’i kryejë funksionet e veta siç duhet”.
Ajo e shpjegoi këtë përfundim me faktin që Kodi Zgjedhor nuk e parashikon shkarkimin e një anëtari të Komisionit për arsye balance politike.
Por ambasadori i Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi tha se është e padrejtë ndaj shumicës parlamentare që të jetë pakicë në Komisionin e Zgjedhjeve.
“Parlamenti kishte të gjithë bazën e duhur ligjore për të rregulluar diçka që ishte dëmtuar. Kodi Elektoral parashikon që parlamenti ta ngrejë KQZ-në në një mënyrë të ekuilibruar politike dhe të ruajë këtë balancë kur mbeten vende bosh”.
Ai shtoi se gjithsesi parlamenti kishte vepruar për të hequr anëtarin e LSI-së jo për të respektuar balancën por sepse caktimi i tij ishte bërë në thyerje të ligjit.
Ambasadori Galanxhi tha se Shqipëria ka shënuar përparim të konsiderueshëm drejt demokracisë dhe vlerësoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Ai ia atribuoi humbjen e mundësisë për tre vjet me radhë të arritjes së statusit të kandidatit mungesës së pjesëmarrjes në parlament të Partisë Socialiste, që pengoi sipas tij miratimin e legjislacionit të nevojshëm që kërkonte dy të tretat e votave.
Tuesday, 07 May 2013 15:09