Shkup – Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker, pasditen e sotme do të pranohet nga presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, në takim lamtumirës, në vilën “Vodno”.
Riker, kah mesi i muajit korrik, largohet për në Uashington, ku do ta marrë postin e zv/ndihmësit të Sekretares së Shtetit, Hilari Klinton.
Edhe në funksionin e ri në Uashington, ai përsëri do të jetë përgjegjësi direkt për Maqedoninë, pasi që bëhet fjalë për byronë për çështje evropiane dhe euro-aziatike, me fokus Ballkanin.
Në vendin e tij vjen ambasadori me përvojë, Paul Volers. Nga Ambasada Amerikane në Shkup kanë konfirmuar se Volers veç është nominuar nga Presidenti Barak Obama.
Ambasadori i ri amerikan, është një diplomat me përvojë, i cili është i njohur për opinionin në Maqedoni si zëvendës i ish-ambasadores Xhillijan Millovanoviç, që, pas ikjes së saj, për disa muaj e ka kryer funksionin e ushtruesit të detyrës për ambasador.
Nga ambasada amerikane nuk dinë saktësisht se kur do të arrijë Volers, pasi që duhet të kalojnë procedurat e zakonshme në Senatin dhe Kongresin amerikan, e të cilat ende nuk kanë filluar.
Paul Volers momentalisht është duke punuar si sekretar ekzekutiv në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe pikërisht Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, ka qenë njëra nga iniciatorët kryesore që ai të emërohet ambasador në Maqedoni.
Volers rolin më të madh në Maqedoni e ka pasur gjatë kohës së zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2008, kur nga liderët politikë ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen në atmosferë demokratike dhe të drejtë. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 July 2011 14:42