Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 07:39

Uashington – Presidenti amerikan Barak Obama e miratoi dërgimin e ndihmës joushtarake për kryengritësit libianë në vlerë prej 25 miliardë dollarëve.

Obama këtë kërkesë ia bëri dje ministrit të Mbrojtjes, Robert Gejts dhe sekretares amerikane të Shtetit Hilari Klinton, ndërsa për këtë vendim Kongresin e informoi qysh javën e kaluar.

Ndihma ka të bëjë me materiale mjekësore, uniforma, këpucë, tenda, pajisje për higjienë personale, radiostacione dhe prodhime ushqimore, të cilat do t’i dorëzohen Këshillit kalimtar kombëtar në Bengazi. Nuk është e paraparë që kryengritësve t’u dërgohen para të gatshme, as armë dhe municion.

Obama e emëroi Hilari Klintonin që ta koordinojë dërgimin e ndihmës.

Administrata e Obamas gjithashtu e ndryshoi  edhe regjimin e sanksioneve kundër Libisë, me atë që u lejoi kompanive amerikane të blejnë naftë, gaz dhe prodhime të naftës nga kryengritësit libianë.

Ky vendim është miratuar dje nga Shërbimi për kontroll të llogarive të huaja pranë Ministrisë së Financave të SHBA-së. Masa parashikon se kryengritësit, të përfaqësuar nga Këshilli kalimtar kombëtar, do të mund të realizojnë të ardhura nga shitja e lëndëve të para, në mënyrë që të furnizohen me armë dhe mallëra të tjera.

Ministri i Mbrojtjes i Britanisë Liam Foks, i cili ndodhet për vizitë në SHBA, ndërkohë deklaroi se lideri libian Moamer Gadafi përsëri është “në këmbë” në betejën kundër kryengritësve për qytetin kyç Misrata, ndërsa forcat e NATO-s kanë përparuar në operacionet kundër armatës së regjimit.

“Ne pamë një zhvillim të caktuar të ngjarjeve në Misrata dhe është plotësisht e qartë se regjimi është përsëri në këmbë”, tha Foks dhe shtoi se së shpejti Gadafi do të kuptojë se loja është e kryer.