Uashington-Zëvendësndihmësi sekretari amerikan i shtetit Philip Reeker deklaron se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat euro-atlantike të rajonit dhe vlerësojnë si pozitive zhvillimet e fundit, përfshirë dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë dhe hapjen e studimit të fizibiletit për marrëveshjen e stabilizim-asociimit për Kosovën.
Siç raporton “Zëri i Amerikës”, Reeker tha se ka ardhur koha për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë të mbështesin këto përpjekje, dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Përpjekjet tona kanë si synim të ndihmojnë për të çuar përpara reformat dhe për të gjetur zgjidhje paqësore që të kontribuojnë në stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien e gjithë njerëzve në rajon”.
Reeker tha se një nga marrëveshjet që duhet vënë në zbatim është ajo për menaxhimin e integruar të kufirit. Ai theksoi nevojën e lëvizjes së lirë për EULEX-in dhe KFOR-in në gjithë Kosovën. Reeker u shpreh kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, në Veriun e Kosovës.
“E kemi shprehur shumë qartë dhe OKB-ja e ka bërë gjithashtu të qartë se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë jo nën juridiksionin e Kosovës do të nxirrte përfaqësues që nuk do të kishin autoritet”.
Në planin e përgjithshëm për veprim, tha ai parashikohet mbajtja e zgjedhjeve në kuadrin ligjor të Kosovës. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për shtimin e njohjeve dhe i inkurajojnë në këtë drejtim udhëheqësit e huaj të vendeve që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Vendet që nuk e njohin Kosovën duhet ta bëjnë një gjë të tillë sepse ne mendojmë se është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe është shumë e qartë siç e bëri të qartë edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që deklarata e pavarësisë ishte në përputhje me rezolutën 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare”.
Reeker tha se Uashingtoni i nxit ta bëjnë një gjë të tillë edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe theksoi se Këshilli Evropian mori një hap të rëndësishëm me studimin e fizibilitetit dhe se e gjithë ideja e integrimit të Ballkanit Perëndimor është që këto vende të përfshihen në familjen evropiane. (LajmeShqip.com)
Saturday, 10 March 2012 12:32