Uashington – Që nga dita e sotme, SHBA, tërhiqet nga aksionet aktive ushtarake në suaza të operacionit ndërkombëtar kundër regjimit të udhëheqësit libian, Moamer Gadafi, duke ua lënë sulmet ajrore mbi Libinë aleatëve të vet evropianë nga NATO-ja.
“Aeroplanët ushtarak nuk do të marrin pjesë në sulmet ajrore ndaj objekteve në territorin libian. Në aksione të drejtpërdrejta ushtarake nuk do të kyçen as anijet ushtarake amerikane dhe nëndetëset e stacionuara në Detin Mesdhe”, kumtoi Pentagoni.
Aeroplanët dhe anijet ushtarake të forcave të armatosura të SHBA-së prej sot do të kalojnë në “regjim të pritjes” dhe përderisa NATO-ja, e cila e mori komandën ndaj operacionit ndërkombëtar në Libi, i quajtur “Mbrojtësi i bashkuar”, konstaton se nuk mund ta përmbushë misionin, mund të kërkojë nga Uashingtoni leje për kyçjen e tyre në sulme të reja.
Në operacionin e NATO-s do të marrin pjesë vetëm aeroplanët amerikan – cisternë dhe fluturaket vëzhguese me pajisje elektronike, të cilat do t’i japin mbështetje logjistike forcave të vendeve tjera të NATO-s të cilat janë të kyçura në sulmet ushtarake.
Sunday, 03 April 2011 10:52