New York – Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të ruajnë edhe në të ardhmen superioritetin ushtarak në botë, por me më pak shpenzime dhe me më pak trupa.
Strategjia për 10 vitet në vazhdim, e ideuar nga administrata Obama, parashikon shkurtimin e buxhetit të mbrojtjes me miliarda dollarë. Vëmendja e ushtrisë do të fokusohet në Azi dhe Paqësor, ndërsa prezenca e saj do të jetë e fortë edhe në Lindjen e Mesme. Ushtria amerikane do të veprojë në rastet e urgjencave dhe kërcënimeve, por asnjëherë në shkallë të gjerë, sikurse ishin në Iran dhe në Afganistan.
Shtetet e Bashkuara do të mbështesin më shumë një fuqi ajrore dhe detare në Paqësor dhe në Ngushticën e Hormuzit, si një kundërbalancë ndaj Kinës dhe Iranit. Rëndësi do të kenë investimet në luftën kundër terrorizimit, mbledhjen e informacionit, luftën kibernetike, luftën kundër armëve bërthamore dhe investimet në teknologjinë ushtarake.
Strategjia u prezantua nga Presidenti Barak Obama këtë fillim janari kur gara presidenciale sa vjen e ashpërsohet. Nga selia e Pentagonit, Presidenti Obama u shpreh se “pavarësisht tkurrjes bota duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara do të ruajnë superioritetin ushtarak me forca të armatosura që janë të afta, fleksibël dhe të gatshme për të gjitha llojet e urgjencave dhe kërcënimeve”.
Obama la të kuptonte se me strategjinë e re të mbrojtjes synon të refuzojë ambiciet e administratës Bush në politikën e jashtme në dekadën e fundit. Deri këtu nuk ka asgjë te re. Sepse Obama që kur u shfaq si kandidat presidencial në zgjedhjet e 2008, i prezantoi hapur pikëpamjet se tij, se është për një Amerikë që nuk duhet të jetë superfuqi përmes forcës ushtarake, por diplomacisë.
E reja është se strategjia e bërë publike ka rritur shqetësimin mos politika e jashtme po trajtohet si një çështje e dorës së dytë. Në median e shkruar dhe vizive amerikane ishin jo të paktë analistët dhe ligjvënësit republikanë që ndanë të njëjtin mendim: se tkurrja e fondeve të mbrojtjes dhe trupave ushtarake, pasojë e gjendjes që po kalon ekonomia, do t’i bëjë më pak të sigurta Shtetet e Bashkuara.
Një përqasje e tillë gjykohet se dobëson sigurinë kombëtare dhe nga ana tjetër e lë mbrapa Amerikën. “Presidenti duhet ta dijë se bota gjithmonë ka pasur dhe do të ketë një lider. Nëse Amerika ecën prapa, dikush tjetër do të ecë përpara”, citohej ligjvënësi republikan Buck McKeon në një artikull në Washington Post.
Strategjia ushtarake me më pak para dhe forca prezantohet në një moment kur dhuna në Irak ka ardhur duke u rritur nga java e tretë e dhjetorit, kohë në të cilën trupat amerikane u tërhoqën përfundimisht nga ky vend; kanë sjellë në vëmendje kritikët.
Kundërshtarët e strategjisë shohin një shpresë në horizont, zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Zgjedhësit, sipas tyre, do të vendosin nëse është i drejtë apo jo vendimi i Obamës, i cili sakrifikon fondet e mbrojtjes, ndërsa kërcënimet janë rritur, përballë shkurtimit të fondeve për programet e brendshme.
Përpara votës popullore, plani i administratës Obama do të kalojë një betejë në Kongres. Faktet tregojnë se ligjvënësit republikanë kanë refuzuar të votojnë plane me reduktime të vogla të pagave dhe përfitimeve të ushtarakëve dhe kësisoj ka të ngjarë që strategjia e re, e cila parashikon miliarda dollarë më pak për ushtrinë, të rindezë debatin në Kongres.
Presidenti Obama që kërkon një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit është sulmuar vazhdimisht nga rivalët e tij republikanë përsa i takon trajtimit të politikës së jashtme. Së fundi, Obama ka qenë në qendër të kritikave të republikanëve për një përgjigje të dobët ndaj kërcënimeve të Iranit. “Shtetet e Bashkuara do të shmangin përsëritjen e gabimeve të bëra në të kaluarën”, tha Obama gjatë prezantimit të strategjisë së re ushtarake, duke iu përgjigjur në një farë mënyrë edhe kritikave të republikanëve.
Friday, 06 January 2012 17:00