Departamenti Amerikan i Shtetit, Bundestagu gjerman dhe Foreign Office britanik e kanë përshëndetur vendimin e Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, duke e konsideruar këtë si veprim konkret për ta çuar përpara shtetin e Kosovës.
Zëvendëszëdhënësi i Departamentit Amerikan, Mark Toner, e ka përgëzuar Kosovën për aprovimin e legjislacionit që mundëson krijimin e Gjykatës Speciale. Ai ka thënë se tani janë krijuar kushtet që Gjykata të procedojë me aktakuzat dhe proceset gjyqësore.
“SHBA-ja mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës për kalimin e amendamentit kushtetues dhe legjislacionin e nevojshëm për themelimin e Gjykatës Speciale në mënyrë që të procedojë me aktakuzat dhe gjykimet në përputhje me gjetjet e Task Forcës Speciale të Hetimeve”, thotë ai.
Toner e përgëzon lidershipin e Kosovës për përmbushjen e obligimeve të Kosovës për ta bërë realitet Gjykatën Speciale. “Këto hapa ishin të vështira, por të nevojshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e integrimeve euroatlantike. E përgëzojmë popullin e Kosovës për përkrahjen konstante për integrimet euroatlantike dhe për vlerat demokratike të përbashkëta”, thotë ai.
Votimin pro Gjykatës Speciale e ka përshëndetur edhe ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier. Ai ka deklaruar se e mirëpret vendimin inkurajues të Parlamentit të Republikës së Kosovës që votoi amendamentet e domosdoshme kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.
Ky vendim, sipas tij, tregon që Kosova është e vendosur për të ndërmarrë qoftë edhe hapa të këtillë të domosdoshëm për t’i mbrojtur vlerat e funksionimit të ligjit dhe për të dënuar krimet e bëra. Sipas Steinmeier, një vendim i tillë është pjesë e një konflikti të pashmangshëm me të kaluarën, por Gjermania e ka mbështetur Kosovën nëpër faza të ndryshme dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë gjatë rrugës për integrime evropiane.
Edhe ministri për Evropë i Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Gjykatës Speciale.
Në një deklaratë, të publikuar në faqen zyrtare të Foreign Office, ai e ka quajtur vendimin të vështirë, ndërsa ka vlerësuar guximin politik. “Mirëpres vendimin e Kuvendit të Kosovës për t’i kaluar amendamentet kushtetuese dhe ligjet e nevojshme për themelimin e Gjykatës Speciale. Ky vendim i vështirë dhe i ndjeshëm ka demonstruar lidership dhe guxim politik. Gjykata Speciale do t’i dëgjojë akuzat për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Kosovë. Themelimi i saj do të shënojë një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të trajtuar mosndëshkimin dhe për të ndërtuar shtetin e së drejtës”, deklaroi ai.
Sipas Lidingtonit, kjo tregon përkushtimin e liderëve politikë të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Mbretëria e Bashkuar dhe komuniteti ndërkombëtar, siç thotë ai, i mbështet plotësisht në përpjekjet e tyre, që janë thelbësore për zhvillimin e Kosovës dhe rrugën e saj drejt integrimit evropian.
“Jam i bindur se vendimi i Kuvendit për Gjykatën Speciale do të jetë pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të Kosovës për t’u marrë me të kaluarën. Kjo do t’i plotësojë përpjekjet e tjera për të hetuar krimet e kryera gjatë konfliktit, për të siguruar drejtësi për viktimat dhe një të ardhme më të mirë për Kosovën”, thuhet në deklaratën e David Lidingtonit.
Wednesday, 05 August 2015 09:54