Tiranë – Qeveria shqiptare pasi nuk arriti rreth dy vjet më parë me sjelljen e një emri të famshëm botëror në muzikë, ka nisur negociata për të sjellë në Shqipëri, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, këngëtaren e njohur Shakira.
Madje po tentohet që Shakira të këndojë në Tiranë një këngë dedikuar 100 vjetorit të Pavarësisë. E gjithë kjo do t’i kushtonte Komitetit Ndërministror që po merret me festimet që po planifikohen, deri në shtatë milionë dollarë. Gjithsesi ardhja e Shakirës (Shakira Isabell Mebarak Ripoll), mbetet ende në kuadrin e negociatave dhe një njoftim zyrtar nuk dihet kur do të dalë. Qeveria po tenton të jetë sa më shumë diskrete në planet për kremtimin e Pavarësisë, ndërsa premtohen shumë surpriza festive.
Ndërsa u premtua shumë nga kryeministri Berisha në vitin 2010 se do të vinte një këngëtare e njohur, duke u spekuluar se do të ishte Rihanna, tani synimi është Shakira.
Mësohet se për Shakirën po negociohet edhe në terma konkretë. Bëhet e ditur se po negociohen shuma që shkojnë deri në shtatë milionë dollarë amerikanë, ose afro 4 milionë euro.
Po ashtu, po negociohet edhe se ku do të jetë vendndodhja e koncertit. Duke qenë se stadiumi i ri i premtuar nga qeveria nuk mund të jetë gati në nëntor, mbetet që koncerti të zhvillohet në stadiumin ekzistues. Gjithashtu, po shihet dhe mundësia e sponsorizimit të ardhjes së këngëtares së famshme nga kompani të ndryshme që operojnë në Shqipëri.
Mësohet se Shakira nuk është e vetmja në “pjatën” e diskutimeve në këtë Komitet. Rihanna, Lady Gaga, Beonce, Adele, janë emrat e tjerë që po diskutohen në Komitetin Ndërministror.
Por duket se preferencë e Komitetit dhe në veçanti Kryeministrit, është Shakira. Një ardhje e saj për të ndezur pishtarin e 100 viteve Pavarësi dhe ndoshta një këngë dedikuar Shqipërisë.
Wednesday, 29 February 2012 13:08 