Tiranë – Doli në qarkullim libri i ri i diplomatit dhe publicistit të mirënjohur Shaban Murati, “Hije në diplomacinë shqiptare”. Është hera e parë që në një libër analizohet problematika e diplomacisë shqiptare gjatë 20 viteve të pluralizmit në Shqipëri.
Temat e mprehta dhe delikate të marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe dinamika e qëndrimeve dhe e veprimeve të diplomacisë shqiptare gjatë periudhës postkomuniste, vijnë nëpërmjet analizave të thella dhe profesionale, duke i deshifruar lexuesit pamjen e një harte dhe bote të sofistikuar të diplomacisë.
Rivendosja e marrëdhënieve me SHBA-të dhe me Serbinë, raportet e vështira me Greqinë, me Serbinë, me Maqedoninë dhe shtete të tjera, problemet e reja në marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare Shqipëri dhe Kosovë, paqartësitë ndaj Konferencës Islamike, ndaj Rusisë apo dashuria aktuale e pamotivuar e Shqipërisë me Kinën komuniste janë vetëm disa nga temat, që i vijnë si përjetime dhe interpretime diplomatike. Shumica e tyre i jepen lexuesit për herë të parë, sepse janë botuar në shtypin e vendeve të tjera.
Libri i ri i diplomatit Shaban Murati është një formë historie e diplomacisë shqiptare në këto 20 vjet. Në të shfletohen faqet më të rëndësishme të saj, ku për herë të parë analizohen shqetësimet, mëdyshjet, lëkundjet apo qëndrimet disa herë të gabuara të diplomacisë shqiptare, jo thjesht në rendin kronologjik të shfaqjes së tyre, por në kuptimin e efekteve dhe të dëmit në interesat shtetërore dhe jetike të Shqipërisë.
Libri ngre shqetësimet dhe nxit debatin për orientimet strategjike të politikës së jashtme dhe të diplomacisë shqiptare. Veçori e librit është se ngjarjet, problemet dhe zhvillimet analizohen në momentet e ndodhjes apo vlimit të tyre, gjë që e bën më të vështirë analizën, por e bën më autentik mendimin personal e profesional të shprehur nga autori, i cili ka ditur të mbajë qartë distancën nga ideologjia dhe politika e ditës dhe të mbështetet fort në kapacitetin profesional, në kulturën e gjerë dhe njohjen e thellë të politikës ndërkombëtare.
Libri “Hije në diplomacinë shqiptare” vjen si një kontribut i çmuar në mendimin diplomatik shqiptar, produkt i punës dhe i veprimtarisë së një diplomati dhe studiuesi skrupuloz, me një përvojë mbi 40- vjeçare në fushën e politikës së jashtme. Libri plotëson një nevojë profesionale për diplomatët, politikanët, studiuesit, por është me interes edhe për lexuesin e gjerë, të pasionuar për çështjet e politikës së jashtme dhe të diplomacisë.(LajmeShqip.com)
Thursday, 15 November 2012 13:26