Serbët veriorë kanë intensifikuar angazhimet e tyre rreth themelimit të Asociacionit, derisa të gjitha veprimet e tyre janë duke i koordinuar me Serbinë.
Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka bërë bashkë mbrëmjen e së shtunës legalët dhe ilegalët veriorë, ku është diskutuar për çështje të ndryshme të cilat i preokupojnë serbët.
Qeveria e Kosovës, në këtë takim është përfaqësuar nga ministri i Listës Serbe për Komunitete dhe kthim, Dalibor Jevtiq. Si prioritare serbët e kanë vënë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas Gjuriqit, kjo pritet të jetë çështja kryesore në bisedimet e ardhshme në Bruksel. Ai ka premtuar shumë para nga Serbia për formimin e Asociacionit.
“Republika e Serbisë në muajt e ardhshëm do të dyfishojë përpjekjet e veta kur vjen puna për të mbështetur komunitetin serb në Kosovë dhe kjo është kryesisht e lidhur me reformimin e institucioneve tona që veprojnë këtu”, ka thënë Gjuriq.
Ai më tej ka folur për angazhimet e Serbisë në arsim dhe shëndetësi, sektorë këto të cilat Serbia synon t’i fusë në kuadër të Asociacionit
Monday, 03 August 2015 08:24