Prishtinë – Kreu i ekipit negociator të Serbisë, Borko Stefanoviq, ka diskutuar me presidentin Boris Tadiq për hapat e mëtejshëm në dialogun me Kosovën të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Në takim merrnin pjesë dhe ministri i jashtëm, Vuk Jeremiq dhe ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviq.
Borko Stefanoviq deklaroi pas takimit se u diskutuan mënyrat e reagimit lidhur me hapat e ardhshëm që mund të marrë secila nga palët e përfshira, njofton REL.
“Nuk dua të nxjerrë informacione, por hartuam një skenar deri në detaje për lëvizjet në të ardhmen si dhe për propozimet e ndryshme”, tha Stefanoviq.
Ai shtoi se “gjërat janë shumë urgjente dhe çdo lëvizje e njëanshme në Kosovë mund të vërë në pikëpyetje gjendjen e brishtë të sigurisë”.
Kryenegociatori serb i ka cilësuar çështjet e diskutuara me delegacionin e Kosovës si shumë delikate, përfshi këtu “çështjen e kartave të identitetit dhe pasaportave, lirisë së lëvizjes, furnizimin me energji elektrike për serbët në Kosovë si dhe telefoninë mobile”.
Tuesday, 19 April 2011 14:05