Prishtinë – Shefi i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, sapo konfirmoi se është lejuar të hyjë në Serbi kamioni i parë me mallra komerciale. Kjo shënon zbrapsjen e Serbisë nga qëndrimi për të mos njohur dokumentacionin përcjellës të importuesve kosovarë, përfshirë këtu dokumentin e origjinës së mallit në të cilin shkruan “Republika e Kosovës”.
Huruglica, në një emision të KTV-së, tha se kalimi është bërë para pak çastesh në pikëkalimin te “Dheu i bardhë”. Ai inkurajoi tregtarët kosovarë që nesër në mënyrë më masive të provojnë të kalojnë për në Serbi, qoftë për ta pasur këtë vend për destinacion, qoftë për ta shfrytëzuar për transit.
Serbia nuk ka lejuar mallrat kosovare të hyjnë në territorin e tyre prej se Kosova ka shpallur pavarësinë dhe kur ua ndërroi statusin Doganave, nga të UNMIK-ut në të Kosovës. Ndërkaq, më 2 shtator u pajtua në dialogun në Bruksel të njohë vulat e Doganave. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 September 2011 23:54