Lajme Shqip Saturday, 15 June 2013 09:35

Ohër- Republika e Kosovës eshte prezentuar e barabartë me shtetet tjera në Konferencën “Bashkë për Paqen dhe Sigurinë Globale” të vendeve të Kartës së Adriatikut të mbajtur në Ohër. Për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, këtë takim e ka bojkotuar Serbia. Këtë veprim, Ministri i FSK-së, Agim Çeku e vlerësoi si mendësi e së kaluarës.

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë ka theksuar se ministria homologe serbe në momentin e fundit ka bërë të ditur anulimin e pjesëmarrjes, ndërsa jozyrtarisht mësohet se shkak për këtë vendim ka qenë pjesëmarrja e Kosovës.

“Për fat të keq nga Republika e Serbisë, në moment të fundit vendosën të mos jenë pjesë e kësaj konference, për arsye të cilat ata vetë i kanë të njohura”, ka theksuar Ministri i mbrojtjes i Maqedonisë, Talat Xhaferi, raporton rtk. 

Ministrat pjesëmarrës në këtë Forum kanë promovuar dialogun rajonal dhe kapacitetet për integrim euroatlantik.

Shtetet e Bashkuara te Amerikes përmes përfaqësuesit të saj përcollën porosinë se takimet e tilla dhe zbatimi i reformave krijojnë mundësinë që rajoni të bëhet sa më parë pjesë e NATO-s.