Beograd- “Në 13 vitet e fundit, Qeveria serbe ka ndarë 5 deri në 6 miliardë euro për serbët në Kosovë, ndërsa efekti frytdhënës i atyre parave nuk është realizuar, që qytetarët tanë të kenë stabilitet”, ka deklaruar Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac, për mediat serbe.
Sipas tij, këto para është dashur të drejtohen në mënyra tjera. Në vend që të injektoheshin në ekonomi, punësim, import të mallrave nga Kosova në Serbi me tatim më të ulët, ose për të hapur njësi të reja të prodhimit, ato para janë ndarë për gjëra tjera të pakthyeshme. Në disa raste, për shembull, një numër i serbëve i merr ato para, ndërsa nuk jeton në Kosovë.
Ka të tillë që punojnë në institucionet kosovare të Thaçi, ndërsa marrin para nga Serbia”, ka deklaruar ai. Paratë për serbët në Kosovë, Qeveria e Serbisë i ndanë sipas departamenteve.
Shumica e parave shkon për pagat dhe pensionet, për shëndetësi, arsim, për rastet sociale. Sipas të dhënave tek të cilat ka arritur Alo, për 44 mijë serbët e Kosovës, Beogradi ndanë 210 milionë euro vetëm për paga, ndërsa më shumë se gjysma e tyre nuk jetojnë fare në Kosovë.
I ashtuquajturi sekretar shtetëror për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka thënë se Serbia nuk ka evidencë të saktë se sa para shkojnë në Kosovë e as se si ato shpenzohen. Numri total i të punësuarve është diku rreth 22 mijë, në baza të ndryshme, plus janë edhe rreth 21 mijë njerëz që marrin kompensime të përkohshme materiale për papunësi’, ka thënë Ivanoviç.
Askush nga Qeveria, sipas tij, nuk ka kërkuar që kjo të llogaritet. Ivanoviq, ka theksuar se ka raste që disa serbë të njëjtën kohë marrin para “edhe nga institucionet e Thaçit e edhe nga Beogradi”. Sipas llogaritjeve të tyre, që nga viti 1999 e deri tani, me paratë që Serbia ka shpenzuar për serbët në Kosovë, do të ndërtuar 2970 shkolla apo 3208 kopshte, 34 ura, 7744 kilometra autostradë.
Monday, 26 December 2011 17:00 