Mitrovicë – Kryetarët ilegalë të katër komunave veriore i kanë propozuar sërish KFOR-it dhe EULEX-it qarkullimin e lirshëm të tyre, por me kusht që të mos bartin doganierë dhe policë kufitarë të Kosovës në pikat kufitare Jarinje dhe Bërrnjak.
Krerët e komunave të veriut kanë thënë të martën në Zveçan, para gazetarëve, se përmes një letre dërguar të hënën mbrëma, i kanë bërë ftesë komandantit të KFOR-it Erhard Dreës për vazhdim të bisedimeve, në mënyrë që problemi i barrikadave të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Dragisha Milloviq, kryetar paralel i Komunës së Zveçanit, theksoi se me përfaqësuesit e EULEX-it duhet të bisedojnë edhe zyrtarët e shtetit të Serbisë, sepse, siç tha ai, Kosova nuk është problem lokal, por shtetëror.
Para gazetarëve kanë folur të gjithë kryetarët paralelë të këtyre komunave, si dhe i ashtuquajturi kryeshef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq.
Bëhet e ditur se një takim mes këtyre përfaqësuesve lokalë dhe KFOR-it, EULEX-it, OSBE-së dhe UNMIK-ut, pritet të mbahet të mërkurën në ora 14:00 në Zveçan. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 25 October 2011 18:57