Zveçan-Trafiku në rrugën Zveçan – Zubin Potok, është ndërprerë te fshati Jagnjenicë sot që nga ora 9 e mëngjesit për shkak të bllokimit të KFOR-it, në pikën e kontrollit në këtë fshat.
KFOR-i ka bllokuar trafikun këtu pasi që serbët më përpara sot në mëngjes kishte ndaluar 4 automjete të EULEX-it në fshatin fqinj- në Zhupç, dhe të cilat ishin nisur për në drejtim të Bërnjakës.
Aktualisht është i bllokuar trafiku ndërmjet Zveçanit dhe Zubin Potokut, dhe ky është bllokimi i pestë me radhë i lëvizjes së lirë të EULEX-it në veri të Kosovës nga ana e serbëve, raporton gazeta serbe Blic.
Disa automjete të EULEX-it janë penguar nga serbët lokalë për të shkuar në vendkalimin kufitar Jarinje edhe të shtunën në mbrëmje në vendin e quajtur Dolani, në komunën e Zveçanit, raportojnë mediat serbe.
Automjetet e EULEX-it pas një qëndrimi të shkurtër janë kthyer prapa dhe nën përcjelljen e policisë së Kosovës kanë shkuar për në drejtim të Zubin Potokut, përkatësisht në fshatin Jagnjenicë, raporton gazeta serbe Blic.
Sipas gazetës serbe, përfaqësuesit e Kuvendit të komunës së Zveçanit theksojnë se me përfaqësuesit e KFOR-it dhe të EULEX-it kanë arritur të shtunën një marrëveshje me të cilën parashihet që deri të mërkurën e ardhshme të lejon nga tri automjete me kushtin që në to të ketë vetëm përfaqësues të Misionit të BE-së në Kosovë dhe të mos vozisin doganierët e Kosovës.
Serbët theksojnë se janë marrë vesh që mund të kalojnë nga tre “Xhipa” në ditë, dhe jo më shumë, në mënyrë që EULEX të mund të arrijë deri në pikën e fundit të veriut nëpërmjet rrugëve. Të mërkurën e ardhshme, sipas medieve serbe, duhet të mbahet mbledhja e rregullt e përfaqësuesve të serbëve lokalë dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. (Koha)
Sunday, 11 March 2012 14:52