Tiranë-12 rekomandimet e Komisionit Europian ishin edhe sot në qendër të tryezës mes Ministrisë së Integrimit dhe delegacionit të Bashkimit Europian të Zgjerimit.
Në takimin konsultativ të palës shqiptare me atë të Komisionit Europian në ditën e dytë të tij, i zhvilluar në prani të anëtarëve të komisionit të reformës dhe të grupit të punës për ndryshimin e Rregullores, pati diskutime mbi 4 prioritetet e para të Bashkimit Europian, ato që, kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, rregullat dhe procedurat e Parlamentit.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, duke vlerësuar konsensusin ndërmjet palëve për miratimin e Kodit të ri Penal si dhe angazhimin e Shqipërisë në plotësimin e 12 rekomandimeve për statusin kandidat, kërkoi që e njëjta rrugë të ndiqet edhe në angazhimet e tjera të vendit.
Sequi u shpreh se ka arritje, të cilat duhet të vijojnë me një pune dhe vullnet të përbashkët politik që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.
“Ka patur progres, ecuri në një sërë fushash, si në procesin e reformës zgjedhore. Nuk do të flas këtu për historikun e arritjeve, gjithsesi mendoj që është e nevojshme të ketë progres për reformën elektorale, duhet të shtojmë përpjekjet në mënyrë që të arrijmë afatet’, tha Sequi. Sipas tij, “procedurat parlamentare dhe grupi i punës ka ecur me një hap më të ngadalshëm, por është e rëndësishme të rritet energjia në këtë aspekt”.
“Në përgjithësi kemi arritje”, tha Sequi duke shtuar se, “kemi folur për miratimin e një sërë ligjesh që kërkojnë një mazhorancë të cilësuar. Jam i mendimit që duhet të mbështetemi në këto arritje. Jam i sigurtë që me angazhim të fortë, me punën tonë të përditshme, të arrihen rezultatet që ne dëshirojmë”.
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se komisionet e përkohshme të Kuvendit do të rifreskojnë detajet e punës që është bërë deri tani dhe afateve kohore në të cilat këto reforma mendohet të përmbyllen, duke shpresuar që mesazhi kryesor i takimit konsultativ do të jetë rikonfirmimi i vullnetit politik për të çuar përpara këto dy reforma.
Ministrja Bregu theksoi se mazhoranca është e angazhuar për procesin e integrimit, por një rol të rëndësishëm luan edhe kontributi i opozitës, duke theksuar se politika duhet të jetë e njëjtë në interesat e 94% të shqiptarëve. Sipas saj, 12 rekomandimet kanë nisur të zbatohen dhe plan-veprimi i qeverisë po realizohet shpejt, ndërsa ka nevojë për bashkëpunim.
Ministrja Bregu, si koordinatore e këtij procesi, bëri thirrje që fryma mes palëve të jetë konstruktive, pasi sikundër ajo u shpreh, e kundërta i dëmton të gjithë, qyetarët dhe axhendën e integrimit europian për planveprimin e rishikuar me të cilin prej dy ditësh po njihen përfaqësuesit e Komisionit Europian, kanë bashkëpunuar qeveria, komisioni parlamentar i integrimit, shoqëria civile dhe ekspertë të vetë KE-së. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 16:00