Lajme Shqip Saturday, 28 May 2011 10:57

Kumanovë – Demokracia e Re dje në sheshin e qytetit në Kumanovë mbajti tubim parazgjedhor. Para qytetarëve mbajti fjalim kryetari i partisë Imer Selmani, bartësi i listës nga njësia e dytë zgjedhore Basri Bajrami, ndërsa ishin të përfaqësuar edhe kandidatët për deputetë nga dyshja.

“Nga ky tubim në Kumanovë është vulosur fitorja e Demokracisë së Re. Kur do të vijmë në pushtet do të punojmë shumë dhe gjithçka do të ndryshojmë nga rrënja. Do të punojmë në interes të qytetarëve, e jo si ata që punojnë për interesa personale”, tha Selmani.

Ai u bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë për Demokracinë e Re për shkak se do të investojnë në të gjitha fushat, ndërsa më shumë në infrastrukturën dhe ekonominë.

“Të gjithë e ndjejmë dëmin nga qeverisja e pushtetit. Nuk arritën ta zgjidhin çështjen e falimentuesve, harxhuan shumë prej disa milionave për projektin Shkupi 2014. Demokracia e Re ka vizion dhe zgjidhje për nevojat e qytetarëve”, shtoi Selmani.

Para të pranishmëve fjalim mbajti edhe Basri Bajrami i cili theksoi se këshilltarët e Demokracisë së Re në Këshillin e Kumanovës arritën të realizojnë projekte të rëndësishme infrastrukturore.

Para qytetarëve mbajtën fjalim edhe kandidatët për deputet nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës,  Qazim Shakiri dhe Ali Dalipi.