Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka dhënë një intervistë për të përditshmen beogradase “Danas”, ku është shprehur se “ne jemi të vetëdijshëm se, veç UNESCO-s, Kosova do të aplikojë për anëtarësim edhe në shumë organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Selimi tha se lidhur me këtë kanë punuar shumë maturi në bashkërendim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe gjithmonë duke vlerësuar momentin optimal për të aplikuar.
“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, ne qysh në janar kishim vendosur për të aplikuar tani kështu që kërkesa jonë të mund të trajtohet në mbledhjen e nëntorit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s. Siç theksoi zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, javën e kaluar, mbi 130 delegacione janë angazhuar dhe ne kemi caktuar takime me 20 të tjera gjatë këtij muaji kështu që pasi që të vërtetojmë disponimin dhe interesimin e delegacioneve kombëtare, besojmë se Kosova përfundimisht do të ketë një shans shumë të mire për t’u bërë anëtare e re e UNESCO-s pikërisht në përvjetorin jubilar të kësaj organizate. UNESCO do të kremtojë 70-vjetorin e ekzistencës së saj këtë vit dhe Kosova do të jetë një dhuratë e bukur për ditëlindjen e saj. Është një betejë e vështirë, por interesi ynë shtetëror është që kosovarët të kenë mundësi të barabartë, instrumente të njëjta për zhvillim dhe të njëjtën pozitë si të gjithë popujt e tjerë në Ballkan”, tha ai.
Thursday, 23 July 2015 09:23