Selanik – “Dua më shumë Shqipërinë”, ky ishte motivi që përshkoi mbrëmjen poetike të aktorëve Zamira Kita dhe Ligoraq Riza dhe bashkoi dhjetëra shqiptarë të Selanikut, mbrëmë, në një nga sallat e bashkisë së qytetit.
Aktorët korçarë interpretuan për të pranishmit poezi dhe lirika të Fan Nolit, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, etj dhe me vargjet e poetëve më të njohur grekë, Kavafis, Livadhitis, Ricos etj.
Shoqëruar me motive të njohura muzikore, vargjet dhe interpretimi i aktorëve shkaktuan një emocion të papërshkruar në sallë, madje edhe tek të ftuarit që nuk e njohin e gjuhën shqipe. Nënkryetarja e bashkisë së Selanikut, Maria Paskalidhu tha se edhe pse nuk mund të kuptonte, ishte shumë e prekur nga interpretimi i aktorëve dhe përshëndeti të pranishmit duke interpretuar një poezi greke.
Mbrëmja poetike ishte një nga aktivitetet që po organizohen në Selanik, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nën kujdesin e Konsullit të përgjithshëm të Shqipërisë, Riza Poda në bashkëpunim me Bashkinë e Selanikut.(LajmeShqip.com)
Friday, 09 November 2012 11:57