Lajme Shqip Friday, 13 June 2014 13:23

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar në Gjadër avionin e një diplomati austriak, pasi dyshon se do përdorej për trafik droge. Në lidhje me këtë ngjarje është marrë pyetje një diplomat i ambasadës austriake në Tiranë dhe një inxhinier, i cili ka ndërtuar me pjesë avionin. Këtë e fakt e ka bërë të ditur vetë inxhinieri kur është marrë në pyetje, duke u shprehur se: “Avioni në Gjadër u ndërtua me pjesë”. Inxhinieri shton se “avioni nuk është ngritur në fluturim asnjëherë”, ndërsa është gjetur në hangarin e një bujku në Gjadër.

Sipas të dhënave të Prokurorisë, avionit i ka përfunduar licenca e fluturimit, dhe qëndronte në hangar prej dy vitesh si dhe ky avion është në pronësi të një diplomati austriak, i cili tashmë është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Gjatë seancës së pyetjeve ai ka pranuar se ka pilotuar avionin disa herë në territorin shqiptarë, por ka sqaruar se dy vitet e fundit nuk e ka ndezur mjetin fluturues, pasi kishte defekte.

Avioni është montuar në Gjadër dhe pjesët kanë mbërritur nga Italia dhe Sllovenia, ndërkohë mësohet se inxhinieri që është marrë me montimin është nga qyteti i Skraparit. Ai ka deklaruar se pjesët janë sjellë dhe montuar në vitin 2009 ndërkohë që avioni është pilotuar nga shqiptarë dhe nga vetë diplomati. Mirëpo nga verifikimi i dokumentacionit të mjetit rezulton se ka disa parregullsi në zhdoganim e tij, arsye kjo mjaft e fortë për ta bllokuar avionin. Në dosjen voluminoze që po heton prokuroria thuhet se Autoriteti i Aviacioni Civil dhe Albkontrolli, kanë konfirmuar fluturimet e avionit të diplomatit austriak, duke dhënë sqarime se leja është marr për të fluturuar vetëm mbi bregdetin shqiptar.