Beograd – Gjashtëmbëdhjetë persona mes të cilëve gjashtë policë, janë lënduar në përleshjet e mbrëmshme në Beograd, mes policëve dhe nacionalistëve, të cilët protestuan kundër arrestimit të Ratko Mlladiqit.
Pesë demonstrues dhe dy policë janë lënduar seriozisht. Rreth 70 persona janë arrestuar.
Demonstruesit gjuajtën me gurë ndaj policëve, thyen dritaret e dyqaneve. Mbi 3. 000 policë u vendosën në ndërtesat qeveritare dhe ambasadat e shteteve perëndimore. Policia arriti t’i japë fund protestave dhe të vendosë rendin në qendrën e qytetit.
Demonstruesit u tubuan para parlamentit dhe kërkuan lirimin e Mlladiqit. Protestën e organizoi Partia Radikale serbe. Ithtarët e saj nga e gjithë Serbia, janë sjellë me autobus në Beograd. Ekstremistët dhe grupet huligane gjithashtu u bënë thirrje anëtarëve për pjesëmarrje në protestat.
“Me arrestimin e gjeneralit Mlladiq dhe me politikën properëndimore, regjimi i i Boris Tadiqit i tradhëtoi të gjitha interesat e kombit serb”, përmendi Lidija Vukiqeviq nga Partia Radikale e serbëve para demonstruesve. Kërkojmë nga Tadiq dhe Qeveria që të japin dorëheqje, shtoi ajo.
Demonstruesit mbanin pllakata të mëdha të Mlladiqit dhe të ish- përfaqësuesve të tjerë të pushtet, gjithashtu të akuzuar nga Tribunali i Hagës.
Monday, 30 May 2011 09:44 