Paris – Presidenti francez Nikolas Sarkozy u prit me fishkëllima, sharje dhe vezë në Bejon, kryeqëndrën e rajonit bask, në Jug-Perëndim të Francës ku po zhvillonte fushata në prag të zgjedhjeve presidenciale të Prillit.
Disa prej tyre bërtisnin “Nikolas ik”.
Mbi të u lëshuan dhjetëra fletëpalosje ku kërkohej një autonomi më e madhe për rajonin bask në Francë.
Forca të shumta policie u zhvendosën në barin ku ai gjeti strehë për më shumë se një orë. Dukshëm i revoltuar, Sarkozy e quajti incidentin “dhunë të pakicave” dhe sjelljen, të pakuptimtë.
“Këtu jemi në Francë, në territorin e Republikës Franceze dhe presidenti shkon në çdo pjesë të saj. Nëse kjo nuk i pëlqen një pakice ngatërrestare, aq më keq për ata”, tha Sarkozy, të cilit i është dashur të ecë me cadër për t’u mbrojtur nga vezët që gjuheshin në drejtim të tij.
Ai u shpreh i hidhëruar, duke folur për lidhje mes militantëve të rivalit të tij Holland dhe separtistëve baskë në këto protesta të dhunshme për të terrorizuar njerëzit e thjeshtë, të cilët duan vetëm një gjë, argumentoi Sarkozi, të më takojnë e të flasin me mua.
Një përfaqësues i stafit të fushatës së Holland dënoi çdo lloj dhune si dhe konfirmoi se asnjë socialist nuk ishte i përfshirë në ngjarjet në Bejon.
Sondazhet tregojnë se Sarkozy renditet pas Hollande, megjithëse presidenti francez po përpiqet të ngushtojë hendekun e krijuar.
Friday, 02 March 2012 10:05