Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 09:55

Berlin – Presidenti francez Nikolas Sarkozi sot do të vizitojë Berlinin, ku do të bisedojë me kancelaren gjermane Angela Merkel për krizën debitore në eurozonë, papunësinë e rritur dhe projektin për vendosje të tatimit për transaksionet financiare.

Sarkozi të premten i befasoi të gjithë partnerët evropianë me deklaratën se Franca nuk do të presë arritjen e dakordueshmërisë për vendosje të tatimit evropian “Tobin” për transaksionet financiare dhe se do ta vendosë në mënyrë njëpalëshe.

Bashkësia financiare franceze shfaqi revoltë ndaj propozimit të Sarkozisë, katër muaj para zgjedhjeve presidenciale, në të cilat ai do të luftojë për rizgjedhje.

Qëndrimi i Sarkozisë befasoi edhe Merkelin, e cila gjithashtu është ithtare e sjelljes së këtij ligji. Efekti i pritur nga ligji i ri është që t’i kufizojë spekulimet e bursës dhe të sigurojë kapital të freskët.

“Pozicioni gjerman nuk ka ndryshuar dhe qëllimi është vendosja e tatimit për transaksionet financiare në BE,” deklaroi zëdhënësi i qeverisë në Berlin, duke theksuar se Gjermania dëshiron për këtë të arrihet pajtueshmëri në Union ose të paktën në eurozonë.

Kryeministri britanik David Kameron dje deklaroi se është kundër çfarëdo lloj tatimi të ngjashëm, përveç nëse ai vendoset në gjithë botën.

Komisioni Evropian paralajmëroi se është e domosdoshme qasje e përbashkët e vendeve evropiane, me qëllim që të arrihen rezultate efikase.

Kryeministri italian Mario Monti publikoi se është i gatshëm të punojë për tatim të transaksioneve financiare në nivel evropian.

Merkel dhe Sarkozi do të bisedojnë edhe rreth çështjes së ndryshimeve në marrëveshjet evropiane me qëllim të përforcimit të disiplinës buxhetore, për rrezikun nga recesioni në eurozonë dhe për jostabilitetin e sektorit bankar.