Lajme Shqip Monday, 19 December 2011 10:10

Sarandë – Në Sarandë numri i përfituesve nga ligji i faljes së detyrimeve tatimore të pashlyera në vitet e kaluara mësohet se shkon në 400 subjekte. Burime zyrtare nga drejtoria e tatimeve bëjnë të ditur se ditët e fundit vërehet një fluks, sidomos nga biznesi i vogël, për të shlyer detyrimet financiare të këtij viti e për të përfituar nga falja e detyrimeve për vitet e kaluara.

Sipas Idajet Haxhiut, përgjegjës i sektorit të mbledhjes së të ardhurave në drejtorinë rajonale të tatim-taksave në Sarande, ligji i faljes nuk ka lidhje me festat e fundvitit, por me politikën tatimore të shprehur në ligj. Ai thotë se në këto ditë të fundit të vitit vihet re një fluks në rritje për pagesat e prapambetura nga viti 2008, 2009 e 2010, sidomos nga biznesi i vogël.

Mësohet se nga komisioni i posaçëm i faljeve pranë DRTT në Sarandë janë falur deri tani 126 milionë lekë, ose 36% e detyrimeve që janë objekt i ligjit.