Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 12:02

Tiranë -Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Zgjerimin në  Komisionin Europian, Stefano Sannino, theksoi sot gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, se “perspektiva europiane e Shqipërisë do të bëhet realitet”.

“Gjatë takimit me ministrin Haxhinasto diskutuam për progres raportin dhe për të gjitha hapat që do të ndërmarrë Shqipëria në mënyrë që të afrohet më shumë perspektiva europiane. Tashmë duhet shumë punë me të gjithë përfaqësuesit politikë, me shoqërinë civile në vend, në mënyrë që perspektiva europiane e Shqipërisë të behet realitet”, theksoi Sannino.

Ai theksoi rolin mjaft të mirë të Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon, “i cili është një element shumë i vleresuar nga Bashkimi Europian”.

Ministri Haxhinasto falënderoi z.Sannino për kontributin e tij personal për ndjekjen me vëmendje të proceseve politike në Shqipëri dhe sidomos të atyre impakteve, që sjellin një shpejtësi të re në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Shpreha vlerësimin tim përsa i takon Raportit të Progresit të Shqipërisë, të publikuar para pak kohësh nga BE-ja, si një dokument shumë i rëndësishëm, si një plan pune për Shqipërinë, për të avancuar me agjendën e saj drejt Bashkimit Evropian”, nënvizoi Haxhinasto.

Ai tha se “gjatë takimit shkëmbyem gjithashtu mendime për hapa të reja, të cilat duhet të ndërmerren për të konkretizuar atë vullnet politik të shprehur, që të konsiderojmë integrimin si prioritetin kryesor në vend dhe për të realizuar 12 prioritetet e vendosura përpara Shqipërisë nga BE-ja”.