Tiranё – “Dyert e Evropës vazhdojnë të mbeten të hapura për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, por në fillim duhen përmbushur dhe plotësuar të dymbëdhjetë kriteret e nevojshme, në mënyrë që fitimi i ardhshëm i statusit të vendit kandidat të jetë plotësisht i merituar”, deklaroi sot Zv.drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino gjatë takimit që zhvilloi me Presidentin Bamir Topi.
Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se gjatë këtij takimi, Sanino vuri në dukje se është detyra e klasës politike shqiptare, sidomos e udhëheqësve të saj kryesorë, që të nisin menjëherë dialogun konstruktiv institucional dhe të kryejnë reformat aq të nevojshme dhe jetësore për të ardhmen integruese të vendit.
Nga ana e tij, Presidenti Topi e vlerësoi këtë vizitë të zotit Sanino si një dëshmi e interesimit të vazhdueshëm dhe mbështetjes së plotë që Bashkimi Evropian i jep vendit tonë me qëllim arritjen e standardeve integruese dhe realizimit të aspiratës sonë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Gjatë bashkëbisedimit, Topi nënvizoi faktin se anëtarësimi në BE, vijon të mbetet një aspiratë me interes kombëtar dhe përparësi madhore për Shqipërinë. Ai e cilësoi të domosdoshme që klasa politike shqiptare, të cilës i adresohet kryesisht dhe raporti i bërë publik disa ditë më parë, të arrijë të reflektojë seriozisht mbi rezultatet e tij dhe të dijë të shohë e t’i vlerësojë si një mundësi dhe shans sugjerimet e partnerëve tanë evropianë duke realizuar reformat e nevojshme në luftën kundër korrupsionit, për konsolidimin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe për garantimin një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social për qytetarët e këtij vendi.
“Nevoja për një dialog konstruktiv dhe institucional nuk është më vetëm një kërkesë, por ajo duhet të tingëllojë tashmë si një kambanë alarmi për t’i rikujtuar klasës politike shqiptare angazhimin e marrë përpara votuesve shqiptarë, përgjegjësinë për të mos humbur më kohë në arritjen e një misioni historik, atë të integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe faktin se vetëm bashkëpunimi dhe dialogu politik janë një ndër shtyllat bazë për një demokraci funksionale”, u shpreh kreu i shtetit.
Thursday, 20 October 2011 19:30