Moskë – Vetëvrasjet e adoleshentëve po shndërrohen në “tragjedi shtetërore” në Rusi, e cila sipas statistikës është në vend të parë për nga ky tregues në Evropë.
“Nëse nuk e zgjidhim problemin nga rrënja, do ta humbim të tërë brezin”, tha Pavel Astahov, i emëruar nga Kremlini që të përgjigjet për të drejtat e fëmijëve.
Rreth 1.500 të rinj në vit i japin fund jetës në Rusi, ndërsa rreth 4.000 bëjnë tentim për vetëvrasje. Niveli i vetëvrasjeve midis adoleshentëve në Rusi është rreth tre herë më i lartë se mesatarja për botën.
Pak kohë më parë, të paktën gjashtë të rinj i dhanë fund jetës brënda një afati kohor prej dy javësh.
“Kjo nuk është epidemi nga vetëvrasja, por tragjedi shtetërore”, deklaroi Astahov në komentin në Tuiter.
Në Rusi ka pothuajse 16.000 psikologë për 48.000 shkolla, ndërsa prindërit dhe mësimdhënësit zakonisht nuk i referohen atyre. Kërkesa e ndihmës nga psikologët vazhdon të konsiderohet ende si një tabu në një shkallë të madhe në vend.
Tuesday, 21 February 2012 09:15