Lajme Shqip Friday, 16 September 2011 16:54

Tiranë – Eksportet blegtorale të Shqipërisë në vitin 2010 janë rritur me 8 herë në raport me vitin 2005. Ndërkohë, raporti mes importeve dhe eksporteve të produkteve blegtorale që nga viti 2005 deri në vitin 2010 është ulur me 2.8 herë.

Këto ishin disa nga shifrat që Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, përdori në Konferencën Kombëtare të Blegtorisë për të ilustruar ato që, sipas tij, kanë qënë përparimet e sektorit në vitet e fundit. Sipas ministrit, politika e subvencioneve e nisur nga qeveria po rezulton efikase dhe synon që të rrisë përmasat e fermave blegtorale, për t’i bërë ato ekonomikisht më efiçente.

Ruli tha se ka përfunduar regjistrimi i të gjtihë fermave, ndërsa në tetor do të nisë matrikullimi dhe vaksinimi i bagëtive të imta.

Konferenca Kombëtare e Blegtorisë u organizua sot nga SNV në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. Synimi i konferencës ishte diskutimi i politikave të zhvillimit të blegtorisë dhe sfidave me të cilat ky sektor përballet në kuadrin e procesit integrues. (LajmeShqip.com)