Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 19:04

Kumanovë – Sot pasdite grevistët në zyrën e Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kumanovë, i vizitoi një delegacion i lartë i RDK-së, i kryesuar nga kryetari Rufi Osmani dhe deputeti Izet Zeqiri.

Osmani, siç thuhet në kumtesën e shërbimit për informim të FNDNJ-së në  Maqedoni, si ish i burgosur politik, u solidarizua me grevën, duke shprehur keqardhjen që edhe në këtë kohë, derisa synon integrimin në BE dhe strukturat euroatlantike, pushteti maqedonas vazhdon të mbajë nëpër burgje njerëz të pafajshëm. Me këtë rast, ai u zotua se deputetët e partisë së tij do të angazhohen seriozisht që të përmbajnë kërkesat e grevistëve nëpër të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Delegacioni u njoftua nga kryetari i FNDNJ-së për Maqedoni, Idriz Sinani, për të gjitha rastet gjyqësore, siç janë ai i Brodecit, i Manastirit, i Shkupit, i Kumanovës, ku njerëzit e pafajshëm mbahen të mbyllur në burg, kurse fajtorët shetiten të lirë.

Grevistët janë vizituar edhe nga shumë shoqata e organizata vendore e të jashtme, siç janë përfaqësuesit e OSBE-së, zëvendësavokati i Popullit Naser Veseli, kryetari i Shoqatës “Atdheu” nga Zvicra Qemal Musliu, kryetari i LASH-it Etem Xheladini, kryetari i OH El Hilal në Kumanovë Demirali Shabani etj.