Lajme Shqip Saturday, 28 May 2011 16:07

Tiranë – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, e quajti  sot “të paligjshëm aktin normativ të KQZ-së për kryetarin e bashkisë Tiranë”, ndërsa shtoi se “vlerësimi për të, do i mbetet vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që do të merret më 3 qershor”.

Në një deklaratë për mediat, kryetari i deputetëve të PS-së, denoncoi atë që e cilësoi “prishje të procesit zgjedhor nga KQZ në momentin që gongu kishte rënë, pra numërimi kishte mbaruar”.

Ai u shpreh se opozita disponon dokumentat për 117 qendra votimi dhe theksoi se “akti normativ i KQZ-së është i paligjshëm, pasi numërimi i fletëve në 4 qendra votimi nuk është i përfshirë në rezultat”.

Ruçi tha se “në disa kuti, ka më shumë vota se votues, të cilët kanë votuar në zgjedhjet vendore të 8 majit, madje në Tiranë rezultojnë 357 vota më shumë” dhe sipas tij, kjo  “lë të kuptohet se rezultati është i manipuluar”.

Kreu i grupit socialist tha se “kundërshtimi ynë është me baza ligjore”. Ai vijoi akuzat për KQZ-në, e cila sipas tij, “ka prishuar rregullat e lojës gjatë një procesi të drejtë ligjor”.