Autostrada Tiranë-Elbasan nuk do të kushtojë më 400 milionë dollarë sikurse parashikonte projekti fillestar, por 290 milionë. Ky shkurtim prej 25 përqind e kostos së parashikuar, që përkthehet në një kursim prej 110 milionë dollarësh, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë të kompanive për të marrë pjesë në ndërtimin e segmenteve, në dy anët e tunelit të Krrabës.
Numri dy i kësaj drejtorie, Skënder Çota tha se ulja e kostos së ndërtimit të kësaj vepre madhore nuk reflektohet në uljen e cilësisë së punimeve. Ky zhvillim ka kaluar jo pa debate në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, për faktin se, sikurse u shprehën deputetët, pothuajse për çdo projekt është kërkuar rritja e shpenzimeve dhe jo ulja e tyre. Përtej dyshimeve të shprehura nga deputetët e opozitës, të dy kampet politike në komision vlerësuan pozitivisht zhvillimin, edhe pse paradoksalisht, ky shkurtim mund të cilësohet si efekti i parë pozitiv që kriza ekonomike rajonale i sjell vendit tonë.
Pas diskutimeve për projektin, Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi konsensualisht kredinë 50 milionë dollarëshe nga Fondi për Zhvillim Abu Dhabi. Në javët e ardhshme, pritet edhe diskutohet edhe një kredi tjetër në vlerën e 24 milionë dollarëve që jepet nga fondi i OPEC. Të dy këto kredi do të shkojnë për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, tuneli i së cilës do të bëhet funksional me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit.
Tuesday, 24 January 2012 18:15