Lajme Shqip Saturday, 07 January 2012 09:10

Tiranë – Ing. Hajredin Fratari, President i Konfindustria Shqiptare, parashikon efekte negative për ekonominë nga rritja e çmimit të karburanteve në tregun shqiptar, ku sektorët që preken më shumë janë transporti, peshkimi, prodhimi industrial dhe ai bujqësor si dhe ndërtimi, si konsumatorët më të mëdhenj të tyre.

Në një intervistë ekskluzive ing. Fratari shpjegon se rritja e çmimeve të karburanteve do të pasohet me një efekt zinxhir në të gjithë sektorët prodhues.

“Ky efekt është më i madh tek sektori i transportit, jo vetëm sepse është konsumatori më i madh i karburanteve, por sepse në të njëjtën kohë, rrit koston për prodhimin vendas dhe mallrat e importit. I njejti efekt do të jepet dhe në transportin publik urban dhe atë privat”, shprehet Fratari.

Por sipas tij, efekti zinxhir që pason rritjen e çmimeve të karburanteve prek çdo kosto në jetën e përditshme të popullatës, pasi ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit jetik.

Në parashikimin e rritjes së çmimeve nga prodhuesi deri tek konsumatori, Presidenti i Konfindustria Shqiptare analizon komponentët bazë të çmimeve të karburanteve: çmimet në Bursat botërore, kursi i këmbimit usd/lek, sistemi fiskal ( taksa doganore, TVSH-ja, akciza ) dhe fitimi i kompanive shpërndarëse.

“Peshën kryesore të çmimit përfundimtar në pikat e shitjes e zënë mimi ne Bursat, kursi i këmbimit dhe taksa fiskale”, thotë Fratari, që veçon në këtë sistem ndryshimin e çmimit në bursat botërore, si element që nuk varet nga faktorë të brendshëm.

Fratari shpjegon ndikimin që pritet të japë edhe problemi i krijuar së fundi me bllokimin e Ngushticës se Hormuzit në bursat ndërkombëtare. “Dihet se vetëm në Greqi, ( ku ne importojmë sasi jo të konsiderueshme), ky bllokim, mund të arrijë që të rrisë me 15% çmimin e naftës”, thotë ai.

Por Fratari pohon se ndikim në rritjen e çmimit të karburanteve jep edhe sistemi fiskal, për të cilin shprehet se ai “kërkon një vëmendje, jo vetëm të kujdesshme, por edhe afatgjatë nga ana e qeverisë”.

Ndër masat që mund ta frenojnë apo zbusin këtë ndikim negative në ekonomi dhe tek konsumatori, Fratari konsideron se “liberalizimi i tregut hidrokarbur dhe masat e ndërmarra nga qeveria kanë qenë të domosdoshme, por jo të mjaftueshme”.

Sipas tij, nxitja e prodhimit në vend, privatizimi sa më shpejt i “Albpetrol-it”, nxitja për krijimin e një cikli të mbyllur në prodhimin dhe përpunimin e hidrokarbureve, nxitja e projekteve për linjat e transportit të gazit pa deformuar tregun e lirë, janë disa nga masat që Konfindustria Shqiptare i vlerëson se duhen marrë sa më shpejt nga qeveria.

Ing. Fratari e konsideron “të vonuar” Draft-ligjin për energjinë, që po përgatitet në ministrinë e Ekonomisë në lidhje me “incetivat ” që duhen marrë, si në vendet e Bashkimit Europian për burimet alternative të energjisë. “Ky draft është i vonuar dhe duhet të përgatitet sa me shpejt”, thotë ai.

Gjithashtu Hajredin Fratari vlerëson vendimin e fundit të kompanisë “Taçi oil”, anëtare e Konfindustrisë Shqiptare për mosrritjen e çmimit të naftës në festat e fundvitit si një shembull, që duhet shtrirë tek kompanitë e tjera, pasi e gjykon si një masë që zbut efektet negative të krizës së naftës në ekonominë shqiptare.