Tiranë – Nisja e shirave së fundi ka ndikuar në uljen e nivelit të importit të energjisë, duke arritur në 12 milionë kwh/ditë.
Sipas burimeve zyrtare të KESH-it, prodhimi vendas i energjisë llogaritet në rreth 11 milionë kwh/ditë, ose 5 milionë kwh/ditë më shumë se në muajin dhjetor.
Megjithatë, burimet e KESH-it bëjnë të ditur se pavarësisht shirave të rëna së fundi, niveli i ujit në liqenet e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin ende nuk arrin nivele të kënaqshme, çka detyron kompaninë të rrisë kujdesin për menaxhimin e tyre.
Niveli aktual i ujit në liqenin e HEC-it të Fierzës është 268 metra dhe prurjet llogariten 110 m3/sek. Nisur nga rritja e prodhimit, vërehet rënie e nivelit të ujit në liqenet e Komanit, që ka arritur në 170 metra dhe me prurje 220 m3/sek, ndërsa në HEC-in e Vaut të Dejës niveli i ujit arrin 73,6 metra dhe prurjet në 80 m3/sek.
Gjithsesi, rënia e dëborës në zonat veriore krijon mundësitë e rritjes së rezervave hidrike në liqenet e HEC-eve të kaskadës së Drinit.
Monday, 09 January 2012 11:00